Një adoleshente që mori pjesë në një sfidë të rrezikshme në rrjetet sociale, vdiq në mënyrë tragjike. Tiegan Jarman, e cila jetonte në Thurmaston, Leicestershire, u gjet pa ndjenja në dhomën e saj të gjumit.
Shkak ishte përpjekja e saj për trukun viral në rrjetet sociale, ku 13-vjeçares i shkoi keq.
Shërbimet e urgjencës nxituan për në shtëpinë e saj dhe u përpoqën që t’a mbanin në jetë, por e mitura u shpall e vdekur në vendin e ngjarjes më 6 mars.
Familja e viktimës zbuloi se vdekja e saj erdhi si pasojë e një truku viral i njohur si “kromimi” – një lloj keqpërdorimi i tretësve.
Sfida në fjalë përfshin thithjen e avujve helmues nga produktet e përditshme shtëpiake për të arritur një efekt të shpejtë.
Tani, të tronditur nga vdekja e saj e papritur, familja bën përgjegjës për këtë ngjarje tragjike kompanitë e mediave sociale.
“Nuk jemi shumë të sigurt nëse ajo kishte provuar kromimin më parë, pasi nuk ka asnjë mënyrë për t’a gjurmuar. Kur ndodhi, ajo kishte përdorur të paktën një kanaçe deodoranti”, ka thënë njerku i saj, i cili ka shtuar:
“Ka qenë shkatërruese për të gjithë familjen, jeta jonë nuk do të jetë më kurrë e njëjtë”.
“Mirror” shkruan se e mitura po jetonte me babain e saj, Paul Jarman, kur ka ndërruar jetë. E duke folur për vajzën e tij, ai tha:
“Ajo ishte vajza më e dashur dhe më e guximshme ndonjëherë. Ishte e ngrohtë, ishte qesharake, ishte e çuditshme. Qeshte shumë dhe më bënte të qeshja. Jeta ime u përmbys kur ajo vdiq dhe unë duhet të qëndroj i fortë dhe të vazhdoj. Ajo gjithmonë më thërriste Pookie”.
Të afërmit e 13-vjeçares tani janë të vendosur të rrisin ndërgjegjësimin për rreziqet e mediave sociale. Rob komentoi:
“Është e vështirë të ndihesh i zemëruar në një mënyrë të çuditshme sepse nuk është një individ që e ka shkaktuar këtë. Ne besojmë se faqet e mediave sociale duhet të jenë më të mira në kontrollin e asaj që shfaqet në faqet e tyre. Ato duket se janë në gjendje të kontrollojnë gjëra të caktuara si pornografia, por nuk duken aq të shqetësuar për trendet që mund të vrasin menjëherë”.



