E ftuar në këtë episod të “Back to the Beginning” me Kozeta Kurtin ka qenë Ermonela Jaho. Sopranoja e njohur me famë botërore në këtë intervistë ekskluzive ka ndarë me dëgjuesit detaje nga karriera e saj, se si nisi gjithçka, kush e frymëzoi dhe si ka arritur që përgjatë gjithë këtyre viteve të ndërtojë një bazë kaq të fortë dhe të arrijë majat me talentin e saj.
A ka qenë jeta profesionale e Ermonela Jahos aq e bukur sa shprehet nga interpretimi i saj dhe që duket nga sytë e saj?
Ka qenë tepër e vështirë por më në fund ia arrita dhe jam shumë e lumtur. Nuk dua ta përmend shprehjen krenare, por edhe jam sepse e fillova nga zero. Jam rrëzuar disa herë, kam prekur fundin disa herë dhe kam dashur të rikthehem mbrapsht, por ja ku jam. Mendoj se ndonjëherë ëndrrat e mëdha, jeta i vë në provë.
Ka qenë e vështirë, shumë e vështirë. Jashtëzakonisht e vështirë, por tani ndoshta me kalimin e kohës dhe eksperienca e jetës dhe po të kthehesha pas do të kisha ndjekur po të njëjtën rrugë. Duhej ky rrugëtim me ngritje, me zbritje, me bërryla, me qarje, me depresion dhe me të gjitha. Duhej sepse krijoi këtë person që unë jam sot. Unë po të mos kisha gjithë këto emocione, mos të isha kaq vulnerabël dhe e ndjeshme që të gjitha vijnë nga eksperiencat e jetës sigurisht. Mendoj për një artist është e domosdoshme që të kesh një shpirt të torturar, të kesh një lloj torture të brendshme, mendoj se është një lloj ushqimi, një lloj bagazhi shpirtëror human. Po nuk e pate, nuk e jep.