Këngëtarja e famshme, Shakira dhe aktori i serialit “The Lincoln Lawyer”, Manuel Garcia-Rulfo, kanë nxitur spekulime për një lidhje romantike. Ata janë parë së bashku në Los Angeles.

Platforma “Deuxmoi” në “Instagram” ka publikuar disa fotografi të dyshes teksa po prisnin jashtë Sunset Tower Hotel në West Hollywood. Artistja kolumbiane dhe aktori u panë duke buzëqeshur, duke biseduar dhe duke kaluar kohë së bashku në një atmosferë të relaksuar.

Në fotot në fjalë, Garcia-Rulfo u pa më pas duke i hapur derën Shakirës para se të hipnin në të njëjtin automjet dhe të largoheshin nga hoteli. Asnjëri prej tyre nuk ka bërë ende një deklaratë publike për këto zëra.

Kujtojmë se Shakira u nda në vitin 2022 nga ish-partneri i saj Gerard Pique, me të cilin ka dy fëmijë, Milan dhe Sasha. Ajo ka qenë shpesh në qendër të spekulimeve për lidhje të reja.

Më parë ajo është përfolur për romanca me Jimmy Butler, Lewis Hamilton dhe Lucien Laviscount, por asnjëra nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Nga ana tjetër, Manuel Garcia-Rulfo është lidhur më parë me Audrey McGraw, vajzën e këngëtarëve Faith Hill dhe Tim McGraw, por raportet sugjerojnë se ata janë ndarë në fillim të vitit 2026.

Fotot e fundit kanë mjaftuar për të ndezur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku fansat kanë komentuar se dyshja “duken bukur së bashku”, ndërsa të tjerë shprehen të entuziazmuar për mundësinë e një çifti të ri në botën e showbiz-it.