Detaje nga ngjarja e datës 6 dhjetor 2010. Akuza: Rezarta të punojë 82 orë në shërbim të komunitetit


Zbardhet pretenca e plotë e prokurorisë ndaj Rezarta Shkurtës, për të cilën kërkohet që të punojë 82 orë në shërbim të komunitetit, pas sherrit me Rozana Radin. Sipas akuzës, dy këngëtaret janë takuar afër zonës së Liqenit të Thatë më 6 dhjetor 2010. Rozana ka qenë në makinë, kur është qëlluar me grushte nga 25-vjeçarja Rezarta Shkurta. Sipas mjeko-ligjorëve, tek e dëmtuara Rozana Radi janë konstatuar dëmtime rreth syrit të majtë, të cilat klasifikohen si plagosje e lehtë.


Po sipas akuzës, takimi mes dy vajzave të njohura të muzikës shqiptare, është kërkuar nga 25-vjeçarja Shkurta. Kjo e fundit i ka kërkuar takim qëllimisht Rozanës, për ta qëlluar dhe më pas dëmtuar atë.


Zanafilla e grindjes mes vajzave, ka nisur në emisionin “Vip Shtëpia” në Kosovë. Sipas Radit, Rezarta i ka shkruar mesazhe fyese në Facebook dhe më pas, në datën 6 dhjetor të vitit 2010 i ka kërkuar takim, afër Liqenit të Thatë, në zonën e Kopshtit Zoologjik. ”


Rozana ka qenë në makinë, dhe në këtë moment Rezarta e ka qëlluar me grushte Rozanën, e cila kishte pak kohë që kishte bërë një ndërhyrje kirurgjikale në gjoks dhe po mbronte me duart e saj pjesën e bustit të trupit, në një kohë që kishte lënë të zbuluar pjesën e fytyrës, ku dhe ka marrë goditje me grushte nga Rezarta Shkurta”, thuhet në pretencën e paraqitur në gjykatë nga organi i akuzës kryeqytetase.


Më tej është kërkuar deklarimi fajtor i Shkurtës për kryerjen e veprës penale të “Plagosjes së lehtë me dashje”, pezullimin e dënimit me burgim dhe detyrimin e të saj për kryerjen e një pune në interesin publik për 82 orë. Në këtë mënyrë synohet rehabilitimi i saj, ndërkohë që edhe shpenzimet procedurale në shumën prej 3 000 lekësh t`i lihen në ngarkim asaj.


14 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)