Një specie e re tropikale po ngre shqetësim në Adriatik: bëhet fjalë për Acanthurus monroviae, i njohur si “peshku kirurg”, i cili mund të shkaktojë prerje të thella te njerëzit. Sipas studiuesve, kjo specie e ardhur nga ujërat e ngrohta të Liberisë dhe Atlantikut lindor është vendosur tashmë zyrtarisht në ujërat kroate, pasi janë dokumentuar raste konkrete pranë bregdetit të Croacisë.
Ky peshk ka në bazën e bishtit dy gjemba kockorë të mprehtë si bisturi, të cilët i përdor për t’u mbrojtur. Ekspertët paralajmërojnë se kontakti me të mund të shkaktojë plagë të thella që infektohen lehtësisht. Rreziku mbetet edhe pasi peshku kapet, pasi gjembat mbeten të mprehtë edhe pas vdekjes.
Specia mund të arrijë deri në 48 centimetra gjatësi dhe dallohet nga trupi ngjyrë kafe me vija të verdha dhe blu-vjollcë. Pavarësisht se nuk është tepër agresiv, ai ka sjellje territoriale dhe mund të reagojë me shpejtësi. Shkencëtarët e lidhin ardhjen e tij me ngrohjen e ujërave të Adriatikut, një fenomen që po sjell gjithnjë e më shumë specie tropikale në Mesdhe. Ekspertët këshillojnë pushuesit dhe peshkatarët të mos e prekin nëse e shohin.



