Një vilë madhështore e shekullit të 19-të, që dikur i përkiste stilistit të ndjerë të modës Karl Lagerfeld, u shit së fundmi në ankand për 4.7 milionë euro.
Vila, e njohur si Pavillon de Voisins, ndodhet në Louveciennes, rreth 16 kilometra në perëndim të Parisit, dhe përfaqëson një shembull karakteristik të arkitekturës neoklasike franceze.
Lagerfeld e bleu pronën në vitin 2010 dhe investoi në rikonstruksion të thellë, duke e transformuar tërësisht sipas stilit të tij personal. Vila shtrihet në një sipërfaqe prej pesë hektarësh, përfshin tre ndërtesa të pavarura, një pishinë dhe fushë tenisi, të rrethuara nga gjelbërim i dendur dhe gardhe të larta që ofrojnë privatësi absolute.
“Kjo vilë garanton qetësi, diskrecion dhe anonimitet”, deklaroi Jerome Cauro, përfaqësues i agjencisë Arias, që menaxhoi shitjen.

Një pjesë e madhe e katit të parë shërbente si studio krijuese e Lagerfeld, ndërsa sipas bashkëpunëtores së tij të ngushtë Amanda Harlech, kjo ishte “shtëpia që e donte më shumë nga të gjitha. I dha gjithçka”.
Në katin përdhes, Lagerfeld kishte rikrijuar me përpikëri dhomën e tij të fëmijërisë nga shtëpia familjare në Hamburg.
Sipas historisë së pronës, gjatë gjysmës së parë të shekullit të 19-të vila i përkiste familjes Rothschild, ndërsa më pas kaloi në pronësi të poetit francez Leconte de Lisle.
Megjithëse i përkushtuar maksimalisht ndaj kësaj prone, Lagerfeld thuhet se kaloi vetëm një natë aty. Vila përdorej kryesisht si hapësirë për reflektim dhe qetësi, si dhe për të pritur mysafirë të veçantë.
Sipas Arias, rikonstruksioni i vilës ka qenë shumë i kushtueshëm, me shpenzime që pothuajse barazojnë çmimin e shitjes. “Nuk kemi një shifër të saktë, por besohet të jetë jashtëzakonisht e lartë”, tha Arno Felber, noter i agjencisë.
Shitja u realizua nëpërmjet të ashtuquajturës “ankandi i qirinjve”, një metodë tradicionale franceze që daton që nga shekulli i 15-të dhe ende praktikohet sot.
Në këtë proces simbolik, ankandi zgjat për aq kohë sa digjen dy qirinj të vegjël, secili për rreth 15 sekonda, duke i dhënë ceremonisë një nuancë historike dhe teatrale.