Sulmuesi gjerman, Karim Adeyemi, duket se nuk e ka të ardhmen të sigurt te Borussia Dortmund, edhe pse ai ka një kontratë me klubin verdhezi deri në vitin 2027.

Mediat gjermane shkruajnë se, diskutimet për të largim të mundshëm kanë nisur prej kohësh. Madje thuhet se situata ka marrë një kthesë të re së fundmi/

Mediumi prestigjioz BILD raporton se, Adeyemi i ka bërë të ditur drejtuesve të Borussia Dortmund dëshirën e tij për t’u larguar nga klubi. Arsyeja kryesore e këtij vendimi lidhet me jetën personale të futbollistit.

Thuhet se partnerja e tij, këngëtarja me origjinë nga Kosova, Loredana Zefi, preferon të jetojë në një metropol të madh evropian, në vend të qytetit të Dortmundit.

Pas këtij zhvillimi, Karim Adeyemi ka ndërmarrë hapa konkretë për të përgatitur largimin e mundshëm. Sipas burimeve, sulmuesi ka ndërruar agjent dhe ka nisur bisedimet për rinegociimin e kushteve të kontratës së tij, duke hapur rrugën për një transferim në të ardhmen e afërt.

Sulmuesi gjerman vlerësohet aktualisht me rreth 60 milionë euro në tregun e transferimeve dhe interesimi për të është i madh. Emri i tij është përmendur si objektiv i disa prej klubeve më të mëdha evropiane, përfshirë Barcelona, Manchester United dhe Juventus, të cilat po monitorojnë nga afër situatën e tij.

Borussia Dortmund, nga ana tjetër, pritet të shqyrtojë me kujdes çdo ofertë, ndërsa vendimi përfundimtar për të ardhmen e Adeyemit mund të merret gjatë merkatos së ardhshme.