Aktorja Blake Lively ka paraqitur dokumente të reja në gjykatë, ku pretendon se ka pësuar dëme të mëdha në imazhin e saj publik, me një kosto që arrin deri në rreth 40 milionë dollarë.
Sipas raportimeve, ajo po kërkon dëmshpërblim nga “Wayfarer Studios”, kompania e Justin Baldoni, si dhe nga “It Ends With Us Movie LLC”.
Në padinë e saj, shuma totale e kërkuar varion nga 142 deri në afro 300 milionë dollarë, duke e kthyer këtë çështje në një nga përplasjet më të mëdha ligjore në industrinë e argëtimit.
Blake Lively pretendon se një fushatë e organizuar PR-je ka ndikuar negativisht në perceptimin publik ndaj saj, duke e etiketuar me terma si “mean girl”, “bullizuese” dhe “e pandjeshme”.
Sipas dokumenteve gjyqësore, këto etiketime janë përhapur gjerësisht në internet dhe kanë sjellë pasoja financiare të konsiderueshme. Vetëm dëmi reputacional, sipas saj, vlerësohet mes 36.5 dhe 40.5 milionë dollarë, ndërsa rreth 24.3 milionë dollarë lidhen me ndikimin e përmbajtjeve të pretenduara shpifëse që kanë arritur mbi 116 milionë shikime.
Ndërkohë, çështja ka marrë edhe kthesa të rëndësishme në gjykatë. Një gjyqtar ka rrëzuar 10 nga 13 pretendimet e aktores, përfshirë edhe akuzat për ngacmim seksual ndaj Justin Baldoni, të cilat ai i ka mohuar.
Megjithatë, disa nga pikat kryesore, përfshirë pretendimet për hakmarrje dhe shkelje kontrate, janë pranuar për shqyrtim, duke bërë që procesi gjyqësor të vijojë dhe të mbetet në qendër të vëmendjes publike.
