Dy përfaqësuesit e Shkodrës Elektronike, Beatriçe Gjergji dhe Kol Laca që përfaqësuan Shqipërinë në Eurovision rreth dy vite më parë me këngën Zjerm, kanë shprehur hapur deklaratat e tyre në rrjetet sociale në mbështetje të protestave studentore në Tiranë. 

Ata cituan se të rinjtë e shohin braktisjen dhe arratisjen si mundësitë e vetme për të imagjinuar një të ardhme duke shtuar se studentët dhe gjimnazistët po tregojnë se është e papranueshme që emigracioni të shihet si opsion i vetëm.    

Sipas tyre ndryshimi kërkon besim dhe frymëzim ndërsa gjatë deklaratës ata iu drejtuan protestuesve vargjet e këngës së tyre “Me Dashtë”.

Mesazhi i plotë: 

Sot donim të flisnim vetëm për muzikë. Nuk mundemi. Me Dashtë flet për humbjen e shpresës braktisjen dhe arratisjen si të vetmet mundësi për të imagjinuar një të ardhme. Kaluan vite dhe rruga nuk u sjell kurrë mbrapsht. Këto ditë studentët shqiptarë po na tregojnë se nuk është e pranueshme që emigrimi të jetë i vetmi opsion, duke kërkuara ndryshim. Ata po na thonë se ky ndryshim kërkon besim, guxim dhe frymëzim.

Mundemi dhe duhet ta kthejmë rrugën mbrapsht. Nuk ika prej këtij mal. Mbi shkrepa u ndiva gjallë, po s’ika, s’ika. Por kënga nuk mbaron në rrugë. Në gjysmën e dytë, ai që donte të ikte mbetet. Sot shohim një brez që zgjedh të mbetet dhe të ngrihet për vendin që do. Këtë Me Dashtë ua kushtojmë atyre.