Prej disa kohësh Shakira dhe Gerard Pique janë në qendër të vëmendjes. Çifti i famshëm tashmë është në proces divorci dhe duket se kanë hasur në vështirësi. Shkak është bërë kujdestaria e dy fëmijëve të tyre, Sasha dhe Milan.

Mediat e huaja shkruajnë se këngëtarja me famë botërore kërkon patjetër që të shkojë në Miami me ta, ndërsa ylli i futbollit nuk dëshiron që dy të miturit të largohen nga vendlindja e tij, Spanja.

Thuhet se një ditë më parë, këngëtarja kolumbiane ka mbërritur në Kaliforni së bashku me fëmijët, për të kaluar disa ditë pushimi. Nga ana tjetër, futbollisti spanjoll është i përqendruar në Miami, aty ku po luan turneun e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Një situatë që të dy mund të përfitonin për t’u takuar dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet që i ndajnë në lidhje me kujdestarinë e dy fëmijëve të tyre. Një takim që nëse ndodh, do të jetë në një hapësirë “neutrale” për të dy, që është territori i SHBA-së.

Siç zbulohet nga programi argëtues ‘Chisme No Like’, Shakira u largua nga Spanja me fëmijët e saj pavarësisht refuzimit të Gerard Pique. Artistja mbërriti në San Diego të Kalifornisë, ku pret një “takim urgjent” me ish-partnerin e saj.

Një nga elementët që ka shkaktuar më shumë dyshime në media është destinacioni i zgjedhur nga Shakira, pasi këngëtarja mund të vendosej në qytete të tjera ku ka shtëpi.

“Shumë misterioze, sepse ajo ka një shtëpi në Bahamas, ajo ka një shtëpi në Miami, ndërsa me siguri themi se ajo është me fëmijët e saj në qytetin e San Diego, Kaliforni”.

Programi e konfirmoi duke theksuar se “Pique do të bëjë një ndalesë teknike në San Diego për të takuar Shakirën”. Takimi do të zhvillohet më 4 gusht, kur këngëtarja dhe mbrojtësi i Barcelonës do të takohen me avokatët e tyre.

Kujtojmë që javët e fundit janë shtuar spekulimet se këngëtarja po e “harron” tradhtinë e Piques me yllin e Captain America, Chris Evans. Ky i fundit ka shkuar aq larg sa ka deklaruar se Shakira ishte “spektakolare” dhe se duhej të kërkonte një “partner të qëndrueshëm sentimental”.