Një grua 38-vjeçare nga Ostia ka ndërruar jetë pas një përkeqësimi të rëndë të gjendjes shëndetësore, që dyshohet se mund të ketë nisur nga kafshimi i një merimange violinë. Familjarët kanë denoncuar rastin, ndërsa Prokuroria e Romës ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e vdekjes dhe për të verifikuar trajtimin mjekësor që mori gruaja.

Sipas mediave italiane, problemet shëndetësore nisën pas një pickimi në këmbë. Zona u enjt dhe dhimbjet u bënë gjithnjë e më të forta. Gruaja iu drejtua disa herë spitaleve, fillimisht në Grassi të Ostias dhe më pas në spitalin Celio në Romë. Ajo mori trajtim me antibiotikë dhe iu kryen mjekime lokale, por gjendja e saj nuk u përmirësua.

Më 18 tetor, 38-vjeçarja u paraqit sërish në spital, këtë herë me vështirësi të mëdha në ecje. Ajo kishte gjithashtu dhimbje në shpinë, kyçe dhe bark. Sipas familjarëve, tri ditë më vonë gjendja e saj u përkeqësua ndjeshëm.

Më 21 tetor, gruaja u dërgua me urgjencë në spital, ku mjekët konstatuan një infeksion të rëndë në gjak. Ajo u intubua dhe u transferua në spitale të specializuara, ndërsa infeksioni dhe komplikacionet prekën disa organe, përfshirë mushkëritë, zemrën, mëlçinë dhe veshkat.

Pavarësisht ndërhyrjeve mjekësore, 38-vjeçarja ndërroi jetë më 25 tetor. Prokuroria ka urdhëruar kryerjen e autopsisë për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes. Dyshimi për kafshimin nga merimanga violinë mbetet ende një hipotezë dhe nuk është konfirmuar zyrtarisht. Hetimet do të shqyrtojnë gjithashtu rrethanat e trajtimit mjekësor që mori gruaja.