Reperi francez Zola, 26 vjeç, është arrestuar nga policia franceze nën dyshimet për rrëmbim dhe dhunë të rëndë ndaj një 19-vjeçari, i cili sipas mediave lokale ishte një fans i madh i artistit.
Ngjarja e rëndë dyshohet se ka ndodhur në banesën e reperit në Seine-et-Marne. Sipas “Le Parisien”, i riu kishte shkuar pranë shtëpisë së Zola-s me shpresën për të bërë një foto, por situata u kthye në dhunë ekstreme.
Policia arrestoi Zola-n dhe tre persona të tjerë, pasi i riu deklaroi se ishte sulmuar barbarisht. Raportohet se artisti ka dalë nga banesa së bashku me tetë persona të maskuar e të armatosur, duke e trembur të riun, i cili tentoi të arratisej. Por ai u kap në rrugë, u tërhoq me forcë dhe u dërgua përsëri në shtëpinë e reperit.
Aty, sipas dëshmisë së 19-vjeçarit, ka nisur makthi dy-orësh. I riu u detyrua të zhvishej, ndërsa rrobat e tij u dogjën para syve të tij. Më pas, Zola dhe truprojat e tij e tij e kanë dhunuar fizikisht, duke i vendosur edhe një armë zjarri në gojë.
Dhuna është përshkallëzuar edhe më tej në bodrumin e banesës, ku sulmuesit dyshohet se kanë qëlluar me breshëri armësh pranë trupit të 19-vjeçarit. Para se ta linin të largohej, atij i është marrë telefoni dhe karta bankare, ndërsa automjeti i tij është gjetur i dëmtuar me goma të çara dhe pasqyra të thyera.
Sipas raportimeve, grupi e ka shoqëruar të riun deri te makina duke e kërcënuar me vdekje dhe duke e paralajmëruar të mos shkonte në polici. I riu më pas ka gjetur strehë tek të afërm që jetonin pranë zonës.
Hetimet mbi ngjarjen e rëndë vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të marrin vendime të tjera në ditët në vijim.
