Sëmundjet autoimune po shfaqen gjithnjë e më shpesh, ndërsa një rast i rrallë mjekësor ka tërhequr vëmendjen e studiuesve. Një grua 40-vjeçare është diagnostikuar njëkohësisht me katër sëmundje të ndryshme autoimune që prekin sistemin gastrointestinal. Rasti, i publikuar në revistën shkencore Frontiers in Immunology, tregon se pacientja po trajtohej fillimisht për tre sëmundje të rënda: kolitin ulçeroz, hepatitin autoimun dhe kolangitin primar sklerozant.
Më pas, gjendja e saj u komplikua nga një anemi e rëndë për shkak të mungesës së hekurit. Meqë koliti ulçeroz ishte në remision dhe mjekët nuk gjetën shenja të gjakderdhjes së brendshme, u ngrit pyetja se përse organizmi i saj nuk po arrinte të përthithte hekurin nga ushqimi. Pas analizave të mëtejshme të gjakut dhe ekzaminimit të mukozës së stomakut, mjekët zbuluan shkakun: pacientja kishte edhe gastrit autoimun, një sëmundje në të cilën sistemi imunitar sulmon gabimisht qelizat e stomakut.
Kombinimi i këtyre katër sëmundjeve ngjan me një gjendje të rrallë të njohur si sindroma autoimune poliglandulare e tipit 3B. Rasti tregon se një sistem imunitar tepër aktiv mund të shkaktojë probleme në organe të ndryshme të trupit. Ekspertët theksojnë rëndësinë e kontrolleve të targetuara te pacientët që janë diagnostikuar tashmë me një sëmundje autoimune, pasi ata mund të kenë rrezik më të lartë për të zhvilluar edhe sëmundje të tjera. Studimet epidemiologjike sugjerojnë gjithashtu se rastet e reja të sëmundjeve autoimune janë rritur çdo vit, me ritme që variojnë nga rreth 3% deri në 19%, në varësi të sëmundjes.



