Josephine Nekesa, në një intervistë ekskluzive për TUKO.co.ke, tregoi mes lotëve vdekjen e disa prej fëmijëve të saj. “Zoti më bekoi me tre palët e para të binjakëve dhe pas pak kohe, pata edhe fëmijë të tjerë, duke e çuar numrin total në nëntë,” tha gruaja. Nekesa zbuloi se problemet e saj nisën kur ajo u largua nga Nandi Hills, ku punonte, për të vizituar xhaxhain e sëmurë.

Disa ditë pas mbërritjes së saj, xhaxhai i kërkoi t’i blinte ushqime. “Ai kërkoi prej meje të blija tre kilogram sheqer, miell gruri dhe pesë litra qumësht. I thashë se nuk kisha para, pasi ende nuk kisha siguruar një punë të qëndrueshme në Nandi Hills,” tregoi ajo. Nëna e dëshpëruar shpjegoi se madje mezi kishte mbledhur para për biletën e kthimit. E zhgënjyer nga përgjigjja e saj, xhaxhai e kërcënoi se diçka e tmerrshme do t’i ndodhte fëmijëve të saj.

“Ai më tha se do ta shihja vetë. Më tha se edhe fëmijëve që kisha, do t’u thente qafën. Që nga ajo ditë, fëmijët e mi nisën të vdisnin në mënyra të çuditshme që nuk mund t’i kuptoja.” Pasi u kthye në Nandi Hills, Nekesa, tregoi se i pari i binjakëve të parë vdiq kur ishte vetëm një muajsh dhe motra e tij binjake vdiq në moshën 10 muajshe. Kur lindi palën e dytë të binjakëve, Nekesa shpjegoi se duhej të punonte, duke i lënë foshnjat e vogla me gjyshen e tyre ndërsa ajo punonte në plantacionet e çajit.

Ajo kujton se mori një telefonatë që t’i kthehej menjëherë në shtëpi, sepse njëri prej foshnjave po haste vështirësi në frymëmarrje. “E çuam me urgjencë në spital dhe tre ditë më vonë vdiq. Disa muaj më pas, ndërsa isha larg duke marrë ujë, shtëpia ime mori flakë dhe një tjetër fëmijë vdiq mes flakëve” rrëfeu ajo. Sipas Nekesës, pala tjetër e binjakëve lindi me komplikacione, por fatmirësisht të dy mbijetuan.

Megjithatë, ajo humbi një tjetër fëmijë më vonë, i cili u sëmur dhe vdiq vetëm pak orë më pas. Gruaja shpjegoi se përpjekjet për të bërë paqe me xhaxhain kishin qenë të kota, pasi ai vazhdonte ta trajtonte keq. Nekesa pretendon se ai shpesh e ofendonte atë dhe fëmijët sa herë i jepej rasti, arsye për të cilën ajo më në fund hoqi dorë nga përpjekjet për t’u pajtuar.

Nëna e katër fëmijëve pranoi me lot në sy se humbja e fëmijëve e kishte zhytur në pikëllim të thellë dhe në disa momente ajo dëshironte që engjëlli i vdekjes ta kishte marrë atë në vend të fëmijëve. “Ai duhej të kishte marrë jetën time dhe t’i linte fëmijët e mi të qetë. E gjitha kjo ndodhi vetëm për sheqer e miell? Vetëm për disa pazare?”-tha ajo.