“Parasocial”, një term që përshkruan një marrëdhënie njëanshme, ku dikush ndjen lidhje emocionale me një person që nuk e ka takuar kurrë në jetën reale, është zyrtarisht shpallur Fjala e Vitit nga Cambridge Dictionary. Termi u prezantua për herë të parë në vitin 1956 nga sociologët, të cilët vunë re se njerëzit nisnin të lidheshin emocionalisht me figura që i shikonin vetëm në ekran.

Këtë vit, fjala ka parë një rritje të jashtëzakonshme kërkimesh, teksa gjithnjë e më shumë diskutohen ndikimet e krijuesve online, podkasteve dhe komuniteteve digjitale në krijimin e këtyre lidhjeve njëkahëshe. Pse u zgjodh Fjala e Vitit? Sipas Cambridge, gjithnjë e më shumë njerëz po formojnë “marrëdhënie emocionale përmes ekraneve”, duke e bërë termin një nga më të kërkuarit gjatë vitit 2025.

Ndërkaq, fjalori Collins shpall çdo vit fjalët që pasqyrojnë zhvillimet e gjuhës dhe shqetësimet e përdoruesve të saj, duke u mbështetur në një korpus prej 24 miliardësh fjalësh. Në vitin 2025, termi i përzgjedhur si Fjalë e Vitit është “vibe coding”, një koncept që përshkruan artin e shndërrimit të gjuhës në kod kompjuterik me ndihmën e inteligjencës artificiale.

Ky term është krijuar nga Andrej Karpathy, ish-drejtori i AI në Tesla dhe inxhinier themelues në OpenAI dhe tregon se si dikush mund të krijojë një aplikacion të ri duke harruar madje se kodet ekzistojnë. Drejtori menaxhues i Collins, Alex Beecroft, theksoi se zgjedhja e “vibe coding” tregon evoluimin e gjuhës së ndërlidhur me teknologjinë dhe sinjalizon një ndryshim të rëndësishëm në zhvillimin e software-it, ku AI po bën kodimin më të aksesueshëm.