Jennifer Barreto nga Porto Riko është shpallur fituesja e Miss Universe 2026, duke rrëmbyer kurorën në vendin e saj dhe duke shënuar një moment historik për konkursin e bukurisë. 27-vjeçarja, e cila punon si punonjëse sociale, triumfoi mes 115 konkurrenteve të tjera në finalen e zhvilluar të martën në San Juan.
Fitorja e saj është e veçantë edhe për faktin se Barreto bëhet gruaja e parë e martuar dhe njëkohësisht nëna e parë që fiton këtë titull, pasi organizatorët hoqën në vitin 2023 ndalimin për pjesëmarrëset që kanë qenë të martuara ose kanë fëmijë.
Në fazën përfundimtare, pesë finalistët iu përgjigjën pyetjeve të jurisë për çështje të ndryshme, përfshirë inteligjencën artificiale dhe vlerat njerëzore. E pyetur se cilën vlerë nuk duhet të humbasë njerëzimi përballë zhvillimit të teknologjisë, Barreto theksoi rëndësinë e përdorimit të përgjegjshëm të inteligjencës artificiale dhe ruajtjes së vlerave përmes veprimeve.
Megjithatë, edicioni i 75-të i Miss Universe u zhvillua nën hijen e polemikave të vitit të kaluar, kur pati akuza për manipulim të votave dhe favorizim të konkurrenteve. Konkursi u shoqërua gjithashtu me tërheqjen e disa përfaqësueseve për shkak të problemeve me vizat dhe një mosmarrëveshjeje kontraktuale që la jashtë garës gjashtë vende të Azisë Juglindore.
Në vendin e dytë u rendit Clara Vegas nga Venezuela, ndërsa vendi i tretë shkoi për Melissa Núñez nga Republika Dominikane. Me këtë fitore, Porto Riko arrin në gjashtë kurora të Miss Universe, duke u renditur ndër vendet më të suksesshme në historinë e konkursit.

