Kantautori dhe këngëtari, Shpat Deda, do të vijë në Tiranë me një koncert i cili do të mbahet më 28 dhe 29 prill në Akademinë e Arteve.

Koncerti “Katarsis” do të sjellë në skenë Shpat Dedën së bashku me grupin “The Private Jets”. I ftuar në programin “Shqipëria Live” këngëtari ka zbuluar disa detaje nga ky organizim.

“Në fakt ideja ka lindur që prej lansimit të albumit tim më të fundit, në tetor të vitit të kaluar. Është një album me 5 këngë, ku ka shumë improvizim, është një zhanër i ri, një hap i ri në karrierën time muzikore. Po e ndiej si një evoluim i tingullit tim. Që prej mbarimit të albumit e kam pasur në mendje një dëshirë për një koncert të denjë. Në Tiranë sepse kam një lidhje, kam fatin që kam mbështetje këtu. Kam arritur të realizoj koncerte që kanë vlerë dhe peshë, i tillë do të jetë edhe ky.

Do t’i luaj pesë këngët e reja live për herë të parë përpara publikut. Do të ketë surpriza të reja dhe këngë të reja, do të këndojmë version tjetër të këngës, por të gjitha do t’i lëmë surprizë. Nuk performoj vetëm, jam së bashku me bandën. Kam një bandë fantastike, me ta prej shumë kohësh bëj muzikë, jam shumë krenar që kemi arritur të realizojmë këtë material me miq të mijë.

Është një miks, secila këngë ka një mesazh tjetër. Ka shumë poezi. Çdo këngë e ka një natyrë të vetën, një shpirt të vetin. Mendoj që do të vazhdoj të përcjell këtë zhanër, ndoshta edhe me një album tjetër, sepse ia kam nxjerrë formulën tani”, zbuloi Deda.

Koncerti organizohet me ndihmën e Top Channel dhe Top Albania Radio, përfshirë VGA Studio, e mbështetjen e Bashkisë së Tiranës.

“Me Top Median e kam një lidhje shumë të fortë. Kam fat që kam kështu bashkëpunëtorësh. Jam shumë i lumtur që po e realizojmë bashkë këtë koncert, duke pasur parasysh standardin e lartë që kanë Top Media dhe VGA Studio prej vitesh. Jam shumë i lumtur që jemi bashkë. Me Top Channel e kam filluar 18 vite më parë, jam lansuar në skenë për herë të parë, isha vetëm 20 vjeç.

Kam kënduar disa këngë të mijat, e më pas kam marrë pjesë në Top Fest dhe prej aty ka marrë hov karriera ime. Pastaj çdo hap të rëndësishëm që kam, përfshirë edhe koncertin e para tre viteve tek Katedralja, gjithmonë kam Top Median partner dhe mbështetës. Me një ekip të tillë, nuk ka se si të mos jetë një koncert shumë i veçantë”, tha Deda.