CEO i Meta-s, Mark Zuckerberg, ka përmbysur plotësisht një lagje të qetë në Kaliforni, për të ndërtuar kompleksin e tij privat, thonë banorët.
Miliarderi dhe bashkëshortja e tij, Priscilla Chan, u zhvendosën për herë të parë në lagjen Crescent Park të Palo Altos, në vitin 2011. Sipas “New York Post”, ata blenë një shtëpi prej 5600 metrash katrorë në Edgewood Drive, për të cilën shoqëria lokale e trashëgimisë thotë së është më e vjetra në qytet.
Shumë shpejt, Zuckerberg filloi që të blinte gjithnjë e më shumë prona përgjatë Edgewood Drive dhe Hamilton Avenue. Ai shpenzoi më shumë se 110 milionë dollarë për të paktën 11 shtëpi, disa prej të cilave tani janë bosh.
Në kompleksin luksoz të tij, të Chan dhe tre vajzave të tyre, ka një shtëpi për mysafirët, kopshte të mëdha, një fushë për pickleball dhe një pishinë.
Ndërkohë pronat e tjera aty pranë përfshijnë një qendër argëtimi dhe një zonë për festa në natyrë. “The Times” raporton se është edhe një shkollë private për 14 fëmijë.
Në qendër të kompleksit ndodhet një statujë e Chan, dy metra e lartë, të cilën manjati e postoi vitin e kaluar në “Instagram”-in e tij.
“Asnjë lagje nuk dëshiron të jetë e pushtuar”, tha Michel Kieschnick, shtëpia e të cilit në Hamilton Avenue është e rrethuar nga tre anët nga prona e CEO-së së Meta.
“Por kjo është pikërisht ajo që kanë bërë. Ata kanë pushtuar lagjen tonë”, ka shtuar ai.
Kieschnick dhe fqinjë të tjerë treguan se si Zuckerberg, i cili tani ka një pasuri të vlerësuar prej 270 miliardë dollarësh, shtoi 7,000 metra katrorë hapësirë nëntokësore.
Lejet e ndërtimit të marra nga “The Times” i referohen atyre si bodrume, por fqinjët thanë se ato ishin më të ngjashme me bunkerë.
Zuckerberg gjithashtu shtoi mbikëqyrje në lagjen e tyre dikur të qetë, duke vendosur kamera në shtëpitë e tij me pamje nga pronat e fqinjëve. Gjithashtu vendosi edhe ekipe rojesh sigurie.
Në total, qyteti ka miratuar 56 leje për pronat e Zuckerberg që kuar ai u zhvendos në lagje. Kjo ka bërë që disa banorë të pretendojnë se zyrtarët po i përulen çdo teke të CEO-s së Meta.
Madje ata pretendojnë se policia e qytetit, kohët e fundit vendosi tabela në pemë, duke i paralajmëruar banorët për një zonë tërheqjeje në rrugën publike. Sipas tyre, policia nuk lejoi banorët të parkonin makinat e tyre atje për pesë orë, në mbrëmjen e së mërkurës, sepse Zuckerberg po organizonte një ‘barbeque’ në oborrin e shtëpisë.