Komediani i njohur amerikan, Pete Davidson, duket se ka vendosur të ngadalësojë procesin e heqjes së tatuazheve, duke zgjedhur në vend të kësaj të shtojë një të ri me një domethënie shumë personale.
Kohë më parë, Davidson kishte afro 200 tatuazhe në trup. Gjatë një interviste në Late Night with Seth Meyers në maj të vitit 2021, ai tregoi se kishte nisur procesin e heqjes së tyre, një procedurë e kushtueshme që pritej t’i kushtonte rreth 200 mijë dollarë.
“Zgjat rreth tre orë dhe duhet të paraqitesh edhe tre orë më herët për të mbuluar të gjitha tatuazhet” ishte shprehur ai atëherë.
Megjithatë, duket se marrëdhënia e tij me tatuazhet nuk ka përfunduar plotësisht. Së fundmi, sipas “E! News”, Davidson është shfaqur në CinemaCon me një tatuazh të ri, të vogël, në anën e fytyrës, pranë veshit, ku shkruhet emri “Scottie”.

Ky tatuazh është një dedikim për vajzën e tij të porsalindur, Scottie Rose Hewitt Davidson, e cila erdhu në jetë në dhjetor të vitit 2025. Së bashku me partneren e tij, Elsie Hewitt ata u bënë prindër. Çifti e ka përshkruar vogëlushen si “engjëlli ynë i përsosur”.
Emri Scottie ka një domethënie të veçantë për komedianin, pasi është në nder të babait të tij të ndjerë, Scott, një zjarrfikës që humbi jetën gjatë sulmit të 11 Shtatorit.
Në një intervistë të fundit për People Magazine, Davidson foli hapur për përvojën e tij si baba për herë të parë, duke theksuar rolin e partneres së tij.
“Jam shumë me fat, sepse Elsie është një nënë fantastike. Është e bukur të shohësh dikë që hyn në këtë rol dhe e bën kaq natyrshëm,” u shpreh ai, duke shtuar se përjetimi i prindërimit është “i ëmbël dhe shumë argëtues”.
Pavarësisht se ka hequr një pjesë të madhe të tatuazheve ndër vite, një nga ato që ka vendosur të mbajë është një dedikim për ish-Sekretaren e Shtetit të SHBA, Hillary Clinton. Ai e realizoi këtë tatuazh pasi ajo humbi zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 përballë Donald Trump.
