Një festë ditëlindjeje u kthye në një ngjarje dramatike për një nënë dy fëmijësh në Australi, pasi një oxhak në oborr shpërtheu papritur duke e përfshirë në flakë para të ftuarve. Adele Tamati, 53 vjeçe, rikujtoi momentet e tmerrshme që ndodhën gjatë festës së 50-vjetorit të saj në Perth në vitin 2022, kur tentativa për të rindezur oxhakun me etanol shkaktoi një shpërthim të fuqishëm.
Sipas rrëfimit të saj, flakët shpërthyen papritur drejt trupit të saj dhe brenda sekondash ajo kuptoi se ishte përfshirë nga zjarri. Edhe pse tentoi të aplikonte teknikat bazë të ndihmës së shpejtë, lënda djegëse kishte mbuluar trupin dhe flakët nuk shuheshin. Djali i saj, Dene Fowler, u përpoq fillimisht të shuante zjarrin me batanije, por pa sukses. Ai më pas i bërtiti nënës të hidhej në pishinë. Gruaja arriti deri te porta, por rrëshqiti, ndërsa djali e shtyu drejt ujit, duke i shpëtuar jetën.
Pas kontaktit me ujin ajo ndjeu lehtësim të menjëhershëm dhe arriti të merrte frymë, ndërsa djali u hodh pas saj për ta ndihmuar. Aksidenti i shkaktoi djegie të shkallës së tretë në fytyrë, qafë, kraharor, duar dhe pjesë të tjera të trupit. Rikuperimi rezultoi i gjatë dhe i vështirë, duke përfshirë operacione të shumta, transplante lëkure dhe trajtime intensive, si edhe infeksione gjatë shërimit. Pas disa javësh në spital, ajo nisi fizioterapinë për të rifituar përdorimin e duarve dhe për t’u përshtatur me jetën pas aksidentit.
Tamati ka treguar se përballja me ndryshimet fizike ishte sfida më e madhe emocionale, pasi fillimisht e kishte të vështirë të pranonte pamjen e re. Me kalimin e kohës, ajo gjeti mbështetje te komuniteti i personave që kanë mbijetuar djegiet dhe vendosi të angazhohej në aktivitete bamirësie dhe ndërgjegjësuese. Sot ajo e konsideron veten një të mbijetuar dhe një luftëtare.




