Mjekët në Chicago arritën të shpëtojnë jetën e një burri të ri nga Missouri, i cili u prek nga një infeksion jashtëzakonisht i rrallë që i shkatërroi plotësisht mushkëritë, duke i kthyer ato në një masë të lëngshme. Për ta mbajtur gjallë, ata përdorën atë që e quajnë një mushkëri artificiale totale, e cila e mbajti pacientin në jetë për 48 orë, deri sa u gjet një dhurues për transplant të dyfishtë të mushkërive.
Pacienti, emri i të cilit nuk është bërë publik, sot dy vjet e gjysmë pas ndërhyrjes është në mesin e të tridhjetave dhe është rikthyer në punë në biznesin familjar. Lajmi u konfirmua nga kirurgu kryesor i rastit, Ankit Bharat, drejtor ekzekutiv i Institutit Torakal Canning në Northwestern Medicine, ku u kryen operacionet.
Raste kaq ekstreme të sëmundjeve të mushkërive janë shumë të rralla, por ekspertët thonë se kjo arritje u jep shpresë pacientëve që deri më sot konsideroheshin të pashpresë dhe tregon se edhe në situatat më kritike ekziston mundësia e shpëtimit.
Në maj të vitit 2023, burri nga Misuri u transportua me helikopter drejt spitalit Northwestern pasi gripi i shkaktoi dështim të rëndë të mushkërive. Gjendja e tij u përkeqësua me shpejtësi dhe u shndërrua në një ndërlikim të rrallë dhe tepër agresiv të quajtur pneumoni nekrotizuese, e karakterizuar nga inflamacion ekstrem dhe shkatërrim i indeve të mushkërive




