Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Britaninë e Madhe, ku një 53-vjeçar ka humbur jetën pas një shpërthimi të fuqishëm në banesën e tij, duke shkaktuar edhe dëme në zonën përreth. Viktima, David Howard, u gjet nën rrënojat e shtëpisë së tij në Worksop, ndërsa ekspertiza mjeko-ligjore konfirmoi se ai ndërroi jetë si pasojë e asfiksisë, pasi mbeti i bllokuar pas shpërthimit.

Sipas hetimeve, 53-vjeçari kishte shprehur pakënaqësi për rritjen e qirasë dhe kishte paralajmëruar miqtë për mundësinë e një shpërthimi. Ai kishte komunikuar me shërbimet e emergjencës për një periudhë të gjatë para se të ndodhte tragjedia.

Autoritetet dyshojnë se shpërthimi mund të jetë shkaktuar nga rrjedhja e gazit, ndërsa një shkëndijë elektrike konsiderohet si një nga shkaqet e mundshme të incidentit. Raportet tregojnë gjithashtu se viktima kishte probleme të shëndetit mendor dhe në organizmin e tij u gjetën nivele të ulëta heroine, kokaine dhe alkooli, faktorë që mund të kenë ndikuar në gjykimin e tij në momentet kritike.