Aktori australian, Dacre Montgomery, i njohur për rolin e tij si Billy Hargrove në serialin e famshëm “Stranger Things”, foli së fundmi për arsyet e tërheqjes së tij nga jeta publike pas suksesit të madh. Konkretisht, Montgomery shpjegoi se si ardhja e rrjeteve sociale e ka hequr mistikën e yjeve të Hollywoodit, prandaj ai e ka shmangur me vetëdije vëmendjen e medias për pesë vitet e fundit.

Montgomery beson se yjet klasikë të Hollywoodit ekzistonin pikërisht sepse ruanin një pjesë të misterit gjë që sot, falë rrjeteve sociale, është pothuajse e pamundur. “Nuk po përpiqem të konkurroj me askënd tjetër, po jetoj të vërtetën time dhe shpresoj se mund ta paguaj qiranë ndërsa e bëj këtë”-tha aktori me sinqeritet.

Ai e filloi karrierën e tij televizive duke u shfaqur në sezonin e dytë të “Stranger Things” (2017) si Billy Hargrove. Rolet në të cilat ai dha një pjesë të vetes, siç e pranon vetë, ishin arsyeja e pushimit të tij të gjatë. “I kam dhënë një pjesë të vetes çdo roli që kam luajtur dhe kjo është një pjesë e madhe e arsyes pse bëra një pushim. Kohët e fundit ka pasur shumë reflektime personale rreth asaj që dua në karrierën time. Po përpiqem të kem pak më shumë kontroll mbi vendin dhe mbi çfarë punoj”-shpjegoi ai. Montgomery, personazhi i të cilit ndërroi jetë tragjikisht në sezonin e tretë të serialit, nuk do të shfaqet në sezonin e pestë dhe të fundit të ardhshëm.