Anthony Joshua ka ndarë në rrjetet sociale disa momente nga dueli i tij me Kristian Prengën, duke treguar se përtej rivalitetit në ring, mes tyre ka mbizotëruar respekti dhe vlerësimi i ndërsjellë.

Në videon e publikuar në “Instagram” nga boksieri britanik shfaqen çaste nga pas ndeshjes, ku ai mban mbi supe flamurin shqiptar dhe takohet me familjen e Prengës, e cila e priti me ngrohtësi, e veshur me kostume tradicionale shqiptare.

Joshua shoqëroi postimin me një mesazh ku theksoi se vlera më e madhe që lë sporti nuk është vetëm fitorja, por respekti që krijohet mes sportistëve.

“Trashëgimia më e rëndësishme e sportit nuk është gjithmonë rezultati, por respekti që fitohet mes njerëzve që përballen me njëri-tjetrin. Kjo është ajo që mbetet”, shkroi ai.

Në të njëjtën video, britaniku falënderoi edhe prindërit e Kristian Prengës për mikpritjen dhe për mundësinë që pati të ndeshej me djalin e tyre.

“Ju falënderoj që më dhatë mundësinë të luftoja me Kristianin. Ishte një përballje e fortë dhe e ndershme. E vlerësoj shumë atë, ekipin dhe familjen tuaj”, u shpreh Joshua.

Nga ana tjetër, Kristian Prenga iu drejtua ish-kampionit të botës me fjalë mirënjohjeje, duke e cilësuar një ikonë të boksit dhe duke e ftuar të vizitojë Shqipërinë.

View this post on Instagram

A post shared by @anthonyjoshua

“Për mua ishte nder të ndaja ringun me ty. Je një legjendë e këtij sporti. Të presim në Shqipëri sa herë të duash, sepse aty ke gjithmonë një shtëpi të dytë”, tha Prenga.

Joshua iu përgjigj menjëherë ftesës me një koment të shkurtër, por domethënës: “Do të vij patjetër!”, një reagim që u prit me entuziazëm nga ndjekësit shqiptarë.

Në përballjen e zhvilluar mes tyre, Anthony Joshua siguroi fitoren me nokaut në raundin e dytë, pas një raundi të parë ku Kristian Prenga i bëri një rezistencë të fortë.