Një element i trashëgimisë muzikore shqiptare do të bëhet pjesë e një prej prodhimeve më të mëdha të kinemasë botërore. Iso-polifonia e Jugut dhe tingujt karakteristikë të fyellit shqiptar janë përfshirë në kolonën zanore të filmit “The Odyssey”, projekti i ri i regjisorit Christopher Nolan.
Kompozitori fitues i çmimit Oscar, Ludwig Göransson, ka zbuluar se gjatë punës për muzikën e filmit kërkoi frymëzim në tradita muzikore të lashta dhe për këtë arsye udhëtoi në jug të Shqipërisë, ku regjistroi nga afër interpretues të iso-polifonisë.
Në një intervistë për New York Magazine, të publikuar edhe nga Vulture, Göransson tregoi se kaloi disa ditë në Shqipëri duke regjistruar këtë formë unike të këngës tradicionale, e cila është pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare.
“Shkova në jug të Shqipërisë dhe kalova një javë duke regjistruar një stil të lashtë këndimi të quajtur iso-polifoni. Nuk e kisha dëgjuar kurrë më parë të përdorej në një film”, u shpreh kompozitori.
Por udhëtimi i tij nuk u kufizua vetëm te kënga tradicionale. Për kolonën zanore të filmit u regjistruan edhe tingujt e fyellit dyjar, instrumentit karakteristik që prej shekujsh shoqëron jetën e barinjve në zonat malore të jugut të Shqipërisë.
“Regjistruam fyellin që barinjtë shqiptarë e luajnë prej mijëra vitesh”, tha Göransson, duke e cilësuar eksperiencën si një nga më të veçantat gjatë procesit krijues.
Për të ruajtur autenticitetin, ekipi i filmit iu përshtat ritmit të përditshëm të barinjve.
“Na duhej t’i përfundonim regjistrimet para orës gjashtë të mëngjesit, sepse ata zgjoheshin që në katër për t’u kujdesur për kopenë”, rrëfeu kompozitori.
Filmi “The Odyssey”, i bazuar në poemën epike të Homerit, konsiderohet një nga projektet më ambicioze të Christopher Nolan. Regjisori ka sjellë një interpretim modern të udhëtimit të Odiseut, duke kombinuar spektaklin vizual me dimensionin filozofik dhe psikologjik të veprës klasike.
Në rolin kryesor interpreton Matt Damon, ndërsa Anne Hathaway luan Penelopën. Në kast bëjnë pjesë edhe Tom Holland, Robert Pattinson, Zendaya, Samantha Morton, John Leguizamo dhe Lupita Nyong’o.
Me një buxhet të raportuar prej rreth 250 milionë dollarësh dhe xhirime të realizuara me teknologjitë më të avancuara kinematografike, filmi pritet të jetë një nga prodhimet më të mëdha në karrierën e Nolanit.
Mes këtij projekti gjigant hollivudian, një vend të veçantë zë edhe kultura shqiptare, pasi tingujt e iso-polifonisë dhe fyellit tradicional do të dëgjohen nga miliona shikues në mbarë botën, duke e bërë trashëgiminë muzikore të Shqipërisë pjesë të një produksioni ndërkombëtar të përmasave të jashtëzakonshme.
