Disa persona zgjohen herët dhe janë më produktivë në pjesën e parë të ditës, ky është kronotipi i mëngjesit. E kundërta është kronotipi i mbrëmjes, që përfshin njerëzit që zgjohen më vështirë dhe funksionojnë më mirë në orët e vona. Personat e quajtur “shqiponja të natës” japin maksimumin kur gjithçka qetësohet, duke arritur rezultate më të mira në pasditet dhe mbrëmjet e vona. Megjithatë, mjekët paralajmërojnë se jeta e natës mund të jetë ngarkesë për shëndetin kardiovaskular dhe atë psikik.

Ritmi cirkadian i kronotipit të mbrëmjes zakonisht nuk është i sinkronizuar me lindjen dhe perëndimin e diellit. Sipas Sleep Foundation, për këtë arsye personat e natës më shpesh zhvillojnë zakone jo të shëndetshme, si vakte të vona, cilësi më të dobët të gjumit dhe më pak orë gjumë, aktivitet fizik të pamjaftueshëm, konsumim më të shpeshtë të duhanit dhe alkoolit. Disa ekspertë besojnë se këto zakone lidhen me rrezikun e rritur për sëmundje kronike. Personat e natës kanë më shumë gjasa të kenë probleme kardiake, nivele më të larta të LDL (“kolesterolit të keq”) dhe triglicerideve. Një studim i kryer tek gratë e rritura tregoi se kronotipet e mbrëmjes kanë shëndet më të dobët kardiovaskular krahasuar me kronotipet e tjera.

Ato hanë më jo shëndetshëm, ushtrojnë më pak, flenë më keq dhe pijnë më shumë duhan, të gjitha këto janë faktorë rreziku për sëmundjet e zemrës. Ekspertët e UCLA Health theksojnë se edhe personat që rrinë zgjuar natën, edhe nëse nuk është ritmi i tyre natyral, kanë rrezik të shtuar për sëmundje kardiovaskulare. Sipas kërkimeve, personat që preferojnë të qëndrojnë zgjuar natës shfaqin më shumë simptoma ankthi dhe depresioni krahasuar me personat e mëngjesit. Arsyeja e mundshme janë kronotipi i mbrëmjes i cili lidhet me nivele më të larta të stresit dhe cilësi më të dobët të gjumit, dy faktorë që rrisin rrezikun e problemeve psikike.

Çrregullimet metabolike ndikojnë në mënyrën se si trupi përpunon ushqimin dhe shndërron proteinat, karbohidratet dhe yndyrat në energji. Koha e vakteve, sidomos darka e vonë, mënyra si trupi përpunon sheqerin në gjak dhe sasia e gjumit kontribuojnë në zhvillimin e këtyre çrregullimeve. Obeziteti dhe diabeti tip 2 janë dy shembuj tipikë. Kronotipet e mbrëmjes konsumojnë më shumë kalori natën, kanë më shumë dëshirë për ushqime të veçanta dhe nivele dukshëm më të larta të glukozës në gjak.

Mungesa e gjumit nuk shkakton vetëm lodhje të fortë në mëngjes, por edhe probleme me kujtesën dhe zgjidhjen e problemeve. Disa studime tregojnë lidhje të drejtpërdrejtë midis hronotipit të mbrëmjes dhe funksionimit më të dobët kognitiv, sidomos tek personat me arsim të lartë. Mundohuni të rregulloni ritmin cirkadian, rregulloni oraret e vakteve, shmangni alkoolin dhe kafeinën natën, kryeni aktivitet fizik më herët gjatë ditës. përpiquni për 5 ditë radhazi të flini çdo natë disa minuta më herët.