Policia është vënë në ndjekje të një influenceri brazilian, i cili dyshohet se ka organizuar një mashtrim të sofistikuar online duke u shtirur si një vajzë 19-vjeçare e sëmurë me kancer. I riu, 23 vjeç, akuzohet se ka krijuar një identitet të rremë dhe ka zhvilluar një lidhje virtuale me një burrë, nga e cila ka përfituar rreth 30 mijë euro.

Sipas hetimeve, ai përdorte emrin Luana dhe pretendonte se kishte nevojë për para për analiza mjekësore, trajtime, qira dhe shpenzime të përditshme. Viktima, një 46-vjeçar, besonte se po ndihmonte partneren e tij virtuale dhe i dërgonte vazhdimisht para gjatë një periudhe më shumë se dyvjeçare.

Mashtrimi filloi të zbulohej kur burri dyshoi për identitetin e saj dhe kreu një kërkim mbi fotot që kishte marrë. Rezultatet treguan se imazhet i përkisnin një vajze tjetër, një influencere e mitur që nuk kishte asnjë lidhje me personin që e mashtronte.

Autoritetet kanë ngrirë një pjesë të konsiderueshme të parave në llogaritë e të dyshuarit dhe një gjykatë në Brazil ka urdhëruar dëmshpërblim për viktimën, ndërsa procesi penal ende nuk ka përfunduar. Hetuesit dyshojnë se mund të ketë edhe persona të tjerë të mashtruar me të njëjtën skemë.