Familjarët e Juela Nikollit duket se janë shumë të shqetësuar për situatën që ndodhet ajo brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri, “Big Brother VIP 5”.
Përmes një reagimi publik në llogarinë zyrtare të Juelës në “Instagram”, familjarët kanë reaguar për sulmet e vazhdueshme, fyerjet, bullizimin dhe sjelljet denigruese ndaj saj.
“Etiketimet poshtëruese, shtyrjet e përsëritura me këmbë, aktet e pështyrjes dhe çdo formë tjetër poshtërimi publik janë sjellje të papranueshme dhe nuk kanë vend në asnjë format argëtimi apo gare. Këto janë akte që tejkalojnë kufijtë e respektit njerëzor dhe nuk mund të normalizohen”, shkruajnë ata.

Gjithashtu, familjarët u bëjnë thirrje fansave të Juelës, fansave të çdo banori tjetër, që të kenë kujdes me gjuhën që përdorin në komente. Por jo vetëm kaq, pasi kanë një mesazh edhe për personazhet publikë, të cilët përmes memeve apo deklaratave, nxirin urrejtje, përçarje dhe linçim.
“Po ashtu, u drejtohemi figurave publike që, përmes memeve apo deklaratave denigruese, nxisin urrejtje dhe përçarje: ndaloni së ushqyeri klimën e linçimit publik.
Mos e ktheni mendimin ndryshe në urrejtje. Mos e ktheni kritikën në poshtërim. Asnjë person nuk meriton fyerje, linçim apo dhunë verbale.
Juela meriton respekt, ashtu si çdo njeri tjetër”, shkruhet në reagimin publik.
Reagimi publik i familjes së Juela Nikollit:
Në emër të familjes së Juelës, jemi të detyruar të reagojmë publikisht ndaj sulmeve të vazhdueshme, fyerjeve, bullizimit dhe sjelljeve denigruese që po i bëhen vajzës sonë.
Kur një situatë tejkalon çdo normë njerëzore dhe shoqërore, kur cenohet dinjiteti personal, shkelet privatësia dhe tentohet të shkatërrohet imazhi dhe personaliteti i një personi para publikut, kjo nuk mund të nuk duhet të quhet LOJË.
Etiketimet poshtëruese, shtyrjet e përsëritura me këmbë, aktet e pështyrjes dhe çdo formë tjetër poshtërimi publik janë sjellje të papranueshme dhe nuk kanë vend në asnjë format argëtimi apo gare. Këto janë akte që tejkalojnë kufijtë e respektit njerëzor dhe nuk mund të normalizohen.
Për më tepër, është e papranueshme që të merret nëpër këmbë dhe profesioni i saj, duke tallur dhe denigruar punën e ndershme si shitëse pranë Hermes. Çdo profesion i ndërtuar me përkushtim dhe punë të ndershme meriton respekt, jo përqeshje apo përdorim si mjet sulmi publik.
I bëjmë thirrje të gjithë mbështetësve – fillimisht atyre që mbështesin Juelën, por edhe mbështetësve të çdo konkurrenti tjetër – të tregojnë përgjegjësi në gjuhën që përdorin dhe në mënyrën si zgjedhin të komentojnë. Po ashtu, u drejtohemi figurave publike që, përmes memeve apo deklaratave denigruese, nxisin urrejtje dhe përçarje: ndaloni së ushqyeri klimën e linçimit publik.
Mos e ktheni mendimin ndryshe në urrejtje. Mos e ktheni kritikën në poshtërim. Asnjë person nuk meriton fyerje, linçim apo dhunë verbale.
Juela meriton respekt, ashtu si çdo njeri tjetër. Faleminderit: Familja Nikolli.



