Një histori e rëndë ka tronditur rrjetet sociale, pasi një influencere 29-vjeçare ka humbur jetën pas një beteje të gjatë me kancerin. E reja, Wang Wei-Chien nga Tajvani, fillimisht mendoi se dhimbjet dhe ënjtja në trup ishin pasojë e një tendosjeje muskulore nga ngritja e peshave.

Megjithatë, pasi zbuloi një masë në trup në vitin 2021, ajo vendosi të kryejë kontrolle mjekësore, ku u diagnostikua me limfomë. Pavarësisht trajtimeve intensive, tumori vazhdoi të përparonte me shpejtësi, ndërsa ajo ndau hapur betejën e saj me ndjekësit në rrjetet sociale.

Gjatë trajtimit, ajo humbi flokët nga kimioterapia, ndërsa miqtë dhe partneri i saj vendosën të rruanin kokën në shenjë mbështetjeje. Influencerja arriti të frymëzojë mijëra persona duke ndarë përditshmërinë e saj dhe duke krijuar edhe një markë kozmetike gjatë kësaj periudhe të vështirë. Vdekja e saj është konfirmuar nga kompania e lidhur me aktivitetin e saj, ndërsa rrjetet sociale janë mbushur me mesazhe ngushëllimi dhe homazhe.