Aktori amerikan RJ Mitte, i njohur për rolin e Walter “Flynn” White Jr. në serialin e famshëm “Breaking Bad”, ka ndërruar jetë në moshën 34-vjeçare. Lajmi tragjik është konfirmuar nga përfaqësuesi i tij, ndërsa shkaku i vdekjes mbetet ende i paqartë. Mitte u gjet i vdekur në Brownsville, Teksas, më 12 tetor. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave, ndërsa deri më tani nuk dyshohet për përfshirje kriminale.

Aktori, i cili jetonte me paralizë cerebrale, u bë i njohur në mbarë botën për interpretimin e tij në serialin fitues të çmimeve Emmy. Përtej aktrimit, ai ishte një zë i rëndësishëm në mbrojtje të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara. Lajmi ka tronditur edhe kolegët e tij. Bryan Cranston, i cili luante babanë e tij në serial, e kujtoi me fjalë prekëse, duke shprehur dhimbjen për humbjen e aktorit që e kishte njohur që në moshën 14-vjeçare.

“Do të më mungosh, bir”, shkroi Cranston në homazhin e tij. Edhe Aaron Paul dhe Dean Norris shprehën pikëllimin për ndarjen e parakohshme nga jeta të Mitte, duke e kujtuar si një mik të dashur dhe një njeri që la gjurmë te të gjithë ata që e njohën. Përveç rolit të tij ikonik në “Breaking Bad”, RJ Mitte u angazhua në kauza humanitare dhe luftoi për përfaqësimin e personave me aftësi të kufizuara në industrinë e argëtimit.