Burri më i vjetër në Europë është ndarë nga jeta në moshën 112-vjeçare. Italiani Vitantonio Lovallo vdiq të martën në Avigliano, në jug të Italisë, vendin ku kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij. I njohur me nofkën “Ziton”, Lovallo kishte punuar si fermer dhe vazhdoi të kujdesej për vreshtin e tij edhe pasi kishte kaluar moshën 100-vjeçare. Ai gjithashtu merrej me rritjen e deleve.
Pas vdekjes së tij, kryebashkiaku Giuseppe Mecca shkroi: “Avigliano humbi sot një pjesë të historisë së tij. Ziton ishte njëri prej nesh.” Lovallo ishte i martuar dhe kishte katër fëmijë, ndërsa bashkëshortja e tij kishte ndërruar jetë disa vite më parë. Jeta e tij ishte shënuar edhe nga Lufta e Dytë Botërore. Fillimisht ai kishte luftuar në front, ndërsa sipas mediave italiane, nga viti 1943 deri në vitin 1945 ishte mbajtur rob lufte në Gjermani.
Pas vdekjes së Lovallos, sipas renditjes së Gerontology Research Group, burri më i vjetër në Europë është portugezi Joaquim Varela, 111 vjeç. Megjithatë, në listën e njerëzve më të moshuar në Europë, Varela renditet vetëm në vendin e 32-të, pasi përpara tij ndodhen 31 gra. Sipas të njëjtës renditje, personi më i vjetër në Europë dhe në botë është britanikja Ethel Caterham, 117 vjeç.



