Aktori amerikan Matt Clark, i njohur për një karrierë të gjatë në film dhe televizion dhe për bashkëpunimet me disa nga emrat më të mëdhenj të Hollivudit, është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare. Sipas familjarëve të tij, Clark ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Austin, Teksas. Shkak i vdekjes kanë qenë komplikacionet që pasuan një operacion në shpinë.

Publiku e kujton veçanërisht për rolin e baristit në filmin “Back to the Future: Part III”, si dhe për pjesëmarrjen e tij në sitcom-in e njohur televiziv “Grace Under Fire”. Gjatë karrierës së tij të gjatë, Clark u shfaq në disa filma dhe seriale, duke ndarë ekranin me legjenda të kinemasë si John Wayne dhe Clint Eastwood. Ai ishte gjithashtu pjesë e filmit fantastiko-shkencor të viteve ’80 “The Adventures of Buckaroo Banzai Across the 8th Dimension”.

Në televizion, aktori mori pjesë në disa produksione të njohura, mes tyre serialet klasike “Bonanza”, “Kung Fu” dhe “Dynasty”. Familjarët e përshkruan Matt Clark si një aktor të përkushtuar ndaj profesionit të tij, që e respektonte thellësisht zanatin e aktrimit dhe nuk ishte i fokusuar tek fama. Sipas tyre, ai vlerësonte më shumë bashkëpunimin me njerëz të mirë dhe kohën me familjen.