Në fillim të muajit gusht, Brooklyn Beckham dhe Nicola Peltz, rinovuan betimet e martesës. 26-vjeçari nuk kishte ftuar asnjë nga të afërmit e tij, e si pasojë David dhe Victoria Beckham janë të shqetësuar se djali i tyre i madh është ‘larguar përgjithmonë nga familja’.
Madje ata e kanë marrë vesh për ceremoninë vetëm nga media:
Brooklyn dhe bashkëshortja e tij, të cilët u martuan për herë të parë në vitin 2022, shkëmbyen betimet përsëri më 2 gusht në Nju Jork, në një ceremoni të vogël ku mori pjesë familja e Nicola Peltz.
Nusja veshi fustanin e nusërisë së nënës së saj nga viti 1985, ndërsa babai i saj shërbeu si drejtues i ceremonisë. Asnjë anëtar i familjes Beckham, madje as prindërit apo vëllezërit e motrat e tij, nuk u ftuan, sipas një raporti në “Sun”.
Një burim pranë çiftit i tha gazetës se mungesa e familjes, e kombinuar me rolin qendror të Nelson Peltz në ceremoni, ishte “veçanërisht e dhimbshme për David Beckham”.
Ai shtoi se as 30 anëtarët e familjes së tij të zgjeruar nuk ishin informuar, ndërsa gjyshërit e Brooklyn Beckham janë “të shkatërruar”. I njëjti burim e përshkroi këtë veprim si “mizor dhe hakmarrës”, duke vlerësuar se 2 gushti mund të shënojë “ditën kur Brooklyn pushoi së qeni anëtar i familjes Beckham”.
Si nis përçarja?
Përçarja duket se ka filluar që në vitin 2022, para dasmës së parë, kur Nicola Peltz zgjodhi të mos vishte krijimin e vjehrrës së saj, por një fustan nusërie Valentino, gjë që thuhet se nuk i pëlqeu Victoria Beckham.
Që atëherë, dy familjet nuk janë takuar, ndërsa Nicola Peltz rrallë fotografohet me familjen Beckham. Situata u përkeqësua në maj, kur Brooklyn Beckham mungonte në 50 vjetorin e babait të tij, ndërsa ai dhe Nicola Peltz nuk i ndjekin më vëllezërit e tij, Romeo dhe Cruz, në rrjetet sociale, një veprim që, sipas miqve të tyre, u bë pas një bllokimi nga dy Beckham-at më të vegjël.