Fotoreporteri i njohur, Armando Babani, ka qenë një ditë më parë i ftuar në emisionin “Ftesë në 5” me Bieta Sulon, ku ka rrëfyer historitë që fshihen pas disa nga fotografive më virale në vendin tonë, të shkrepura nga ai.
Por jo vetëm kaq, pasi Babani ka zbuluar edhe vështirësitë që has në profesionin e tij. Ai ka treguar një ngjarje që i ka ndodhur në vitin 1992 në Pogradec.
Fotoreporteri shprehet se ishte së bashku me një gazetar anglez, kur një person i është afruar dhe i ka vendosur pistoletën në kokë. Ai shton se gazetari niste të fliste anglisht dhe personi në fjalë kishte ngritur pastaj pistoletën dhe shtënë në ajër.
Pjesë nga intervista:
E di shifrën e sa shkrepjeve mund të kesh realizuar?
Jo, është e pamundur. Në 35 vitet e fundit që nga ’90 e këtej është e pamundur.
Janë fotografi që fokusojnë dhe dëshmojnë pastaj historinë dhe janë foto që qarkullojnë në mediat e huaja dhe marrin famë, kanë jehonë ndërkombëtare. Cila është ndjesia kur puna arrin këtë sukses?
Duke qenë se unë kam që kur është hapur Shqipëria në ’90 punoj për agjenci të huaja, ndjesia është kur shikon fotografinë tënde të botuar në një gazetë të huaj sidomos në ato të mëdhatë të botës, quhet e shpërblyer nga ana morale.
Cili ka qenë ai moment që e ke ndier këtë shpërblim të punës dhe jo financiar?
Ka qenë sidomos në vitet 1992-1993 kur shpeshherë kisha fotografi te “New York Post” dhe “Washington Post”. Sot që e mendon e shijon më shumë se atëherë.
Sot cili do të ishte kulmi?
Që të qarkullojë sa më shumë
Pas fotografive që qëndron ti, mund të qëndrojnë edhe momente të vështira pune, deri edhe rrezik jete, a ka patur?
Si çdo profesion ka të mirat dhe të këqijat e veta, rreziqet e veta, të vogla ose të mëdha. Edhe profesioni jonë ka rreziqet e veta, sidomos kur je në zona konflikti, në zona që gjërat nuk shkojnë shumë mirë.
Kë mund të veçosh, ndonjë situatë?
Do veçoj atë që më ka ndodhur në Pogradec, në vitin 1992. Unë isha bashkë me një gazetar anglez dhe ishte momenti kur sapo kishin shpërthyer depot e alkoolit, ka qenë fabrika e alkoolit në Pogradec. Ta themi në mënyrë popullore, gati të gjithë në rrugë ishin tapë. Në një moment dikush më afrohet dhe më vendos pistoletën te koka dhe thotë spiun. E ngre dhe shtinë në ajër. Në momentin që ai personi vendosi pistoletën te koka, ai gazetari u tregua shumë i zgjuar dhe filloi të fliste anglisht por pa lidhje. ‘Qenkan të jashtë’, tha ai dhe ngriti pistoletën. E ky anglezi që hedh batutën ‘po sikur të kishte ngatërruar radhën, po sikur të shtinte te koka jote dhe pastaj t’a ngrinte përpjetë’. Unë po vdisja në ato momente dhe ai bën humor.