Një arratisje e pazakontë ka ndodhur para syve të qytetarëve, kur një grua arriti të dalë nga makina e policisë ku ndodhej pas arrestimit, pa u vënë re nga oficerët. Ngjarja u regjistrua në shtetin e Miçiganit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë një kontrolli rutinë në një automjet, policia konstatoi se për njërën prej pasagjereve ekzistonte një urdhër arresti për shkelje të kushteve të lirimit me kusht.

Gruaja u arrestua dhe me pranga në duar, u vendos në sediljen e pasme të makinës së policisë. Megjithatë, ajo nuk kishte ndërmend të qëndronte aty. Duke përfituar nga një dritare e hapur pjesërisht, ajo arriti të arratisej në mënyrë të pabesueshme.

Pamjet tregojnë momentin kur gruaja përpiqet me vështirësi të kalojë përmes dritares, edhe pse me pranga, dhe në fund ia del mbanë të largohet. Dyshohet se ajo ishte e përfshirë edhe në një vjedhje që kishte ndodhur më herët gjatë ditës, ndërsa aktualisht mbetet ende në arrati.