Këngëtarja e famshme, Jessie J, ka shprehur dëshirën e saj për t’u rikthyer në rutinën me të birin, pasi iu nënshtrua një operacioni për kancerin e gjirit.
Përmes një postimi në “Instastory”, artistja shprehet se i mungon të qenit një nënë aktive dhe kujdesi për të birin 2-vjeçar siç bënte dikur.
“Jam mirë. Ajo që më mungon më shumë është të qenit një nënë/person aktiv. Por është mirë të kesh pak kohë pushim dhe Skye po kalon një kohë të mrekullueshme me gjyshen dhe gjyshin”, shkroi Jessie J në postimin ku tregonte gjendjen e saj shëndetësore 11 ditë pas operacionit.
Këngëtarja ka një djalë me partnerin e saj, Chanan Saphire Coleman.
Ndërkohë duke folur për shëndetin e saj, ajo pranoi se është pak e dhimbshme, por i siguroi fansat e saj se “mund ta përballoj këtë”.
Jessie J shtoi se po bën ushtrime rehabilitimi dhe po përpiqet të ushqehet shumë shëndetshëm. Sa i përket përballimit të dhimbjes, ajo zbuloi se ka ndaluar së marri qetësues dhimbjesh.
“Thjesht nuk është për mua. Gjithashtu më pëlqen ta ndiej se si është, kështu që nuk e teproj”, tha artistja.