Reperi i famshëm amerikan, ASAP Rocky, po përballet me një padi prej rreth 1 milionë euro, pasi një përmbytje në apartamentin e tij në Nju Jork ka shkaktuar dëme të mëdha në banesën e fqinjit poshtë tij.
Incidenti i dhjetorit të vitit 2024, sipas dokumenteve gjyqësore të cituara nga “Daily Mail”, thuhet se ka ndodhur kur punëtorët e kompanisë “ADE Pro Painting”, hapën dritaret për të ajrosur hapësirën gjatë punimeve.
Kjo ka bërë që temperaturat e ulëta të ngrijnë tubat e ujit, duke shkaktuar më pas një shpërthim të tyre dhe përmbytje masive në apartamentin poshtë.
Pronari i dëmtuar pretendon se përmbytja e ka bërë banesën e tij tërësisht të pabanueshme.
Në padi, përgjegjësia i atribuohet vetë partnerit të Rihanna-s, kompanisë së punimeve “ADE Pro Painting”, si dhe bordit të ndërtesës. Ata kërkojnë të paktën 185 mijë euro për shpenzimet e paguara nga xhepi i tyre si rezultat i “detyrimit” për të gjetur strehim alternativ. Ata kërkojnë gjithashtu 830 mijë euro si rezultat i të gjitha dëmeve të shkaktuara në pronën e tyre.
Ky zhvillim vjen pas një periudhe të trazuar për artistin, i cili vetëm pak muaj më parë u lirua nga akuzat për armëmbajtje pa leje. Aktualisht, ai është rikthyer në jetën familjare, duke u përqendruar tek partnerja e tij Rihanna, dy djemtë dhe vajza e tyre, Rocki Irish Mayers.




