Një aksident i pazakontë ka shkaktuar panik në një plazh të mbushur me turistë në Tajlandë, pasi një makinë doli nga rruga dhe përfundoi në rërë mes pushuesve. Një 83-vjeçar suedez humbi kontrollin e kamionçinës së tij tip Mitsubishi Triton në pikën panoramike Pratumnak Soi 5 në Pattaya. Automjeti përplasi disa motorë të parkuar, shkatërroi barrierën mbrojtëse dhe ra nga një lartësi rreth tre metra në plazhin poshtë.

Nga përplasja, të paktën një turist u plagos pasi u godit nga një pjesë metalike e barrierës së shkëputur. I plagosuri u dërgua menjëherë në spital për trajtim.

Dëshmitarët thanë se zona ishte shumë e mbushur për shkak të festimeve të Songkran, ndërsa aksidenti krijoi skena paniku mes pushuesve dhe banorëve vendas. Autoritetet dyshojnë se shoferi mund të ketë pësuar problem shëndetësor gjatë drejtimit, pasi ai kishte edhe stimulues kardiak dhe mbeti i tronditur pas ngjarjes.