E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë Amadea Stefa, Ambasadore e Paqes në Austri dhe mësuese e vetëshërimit. Ajo ka folur më shumë për vetëshërimin e shpirtit, meditimin dhe shumë të tjera…

Pjesë nga intervista:

Si të shërohemi dhe pse është kaq e rëndësishme të shërojmë shpirtin?

Njeriu është si pema e jetës. Po të shikosh pemën, pema ka frutat. Kur jemi të shëndetshëm, frutat janë në rregull, kemi fruta në jetë, lulëzon çdo gjë në jetën tonë. Nëse njerëzit janë të sëmurë, kanë probleme me marrëdhënien, me financat, e shumë të tjera, do të thotë se frutat nuk janë në rregull. Ose ndonjëherë duken bukur, por brenda kanë krimbin. Njeriu shikon gjithmonë atë të sipërmen, por harron që fruti ka lidhje deri tek rrënjët e pemës. Nëse nuk i jep pemës ujë, ajo do të thahet. Nëse i jep shumë ujë, do të kalbet dhe nuk mbijeton. E njëjta gjë është me njeriun. Ajo e sipërmja që ne nxjerrim është materia, kurse brenda është energjia që rrjedh dhe e ushqen frutin.

E njëjta gjë dhe me trupin, prandaj bëhen joga, Tai-chi, kung fu, karate, të gjitha këto ndikojnë në energjinë në trup. Energjia zhvillohet, njerëzit nxehen kur kanë ftohtë, ato që kanë ftohtë stabilizohen, qarkullimi i gjakut ndryshon. Por nuk është e mjaftueshme. Sepse shumica, 99% e temave njerëzore vijnë nga zemra, shpirti dhe mendja. Kjo ka qëllim, do të thotë që ti shumë kujtime i ke regjistruar në zemër, mund t’i kesh regjistruar në mendje, mund t’i kesh regjistruar në shpirt, që është më thellë. Shumë përdorin anën mentale, meditimet mentale ndihmojnë që të pastrosh mendjen, egon, kujtimet negative që ke përjetuar.

Për shembull nëse dikush të ka rrahur ti e ke kujtim negativ dhe sa çon dorën dikush, ti merr pozicionin e mbrojtjes. Zemra është tjetër gjë, këtu janë personat që kanë vuajtur nga largimi i dikujt. Dikush ka vdekur në familje, dikush është shkëputur, të ka braktisur dhe aty të dhemb zemra. Është një kujtim më i thellë se sa i mendjes, prandaj vuajmë. Shpirti është edhe më i thellë se zemra. Nëse shpirti ka regjistruar që në bark të nënës kujtime, nëse mami është grindur me babin dhe ka qarë, ajo nuk e di por bebi e ka marrë atë kujtim, edhe pse është një shpirt i vogël i bukur, embrion. Por e ka regjistruar dhe ta jep në një moment të duhur interesant, kur ti bëhesh i madh, kur bërtet dikush trishohesh shumë, kur sheh një çift duke u grindur trishtohesh… /TAR/