Ikona e skenës së heavy metal dhe protagonisti i kulturës globale pop, Ozzy Osbourne, ndërroi jetë më 22 korrik 2025, në moshën 76-vjeçare, pas një beteje të gjatë me sëmundjen e Parkinsonit.

“Me trishtim njoftojmë se Ozzy ynë i dashur ndërroi jetë këtë mëngjes, i rrethuar nga familja e tij. Kërkojmë që privatësia jonë të respektohet”, thuhej në deklaratën e familjes për gazetën “The Sun”.

Si u bë i famshëm Ozzy Osbourne?

Ozzy Osbourne lindi si John Michael Osbourne në Birmingham të Anglisë në dhjetor të vitit 1948. Ai vuajti nga disleksia dhe abuzimi seksual traumatik nga ngacmuesit e shkollës, e si pasojë la shkollën përfundimisht kur ishte 15 vjeç.

Ai bëri punë të rastësishme, madje edhe në ndërtim. Gjithashtu vuajti dënim me burg për krime të vogla.

Në vitin 1963, Osbourne zbuloi “Beatles”, të cilët e frymëzuan të ndiqte një karrierë në muzikë. Ai u bashkua me grupin e  Geezer Butler, “Rare Breed”, në vitin 1967, por pas dy koncerteve, grupi u shpërbë.

Ai dhe Butler më pas formuan “Polka Tulk Blues” me Bill Ward dhe Tony Iommi, duke ndryshuar përfundimisht emrin e tyre në “Earth,” pastaj në “Black Sabbath” në vitin 1969.

Ata publikuan albumin e tyre të parë me të njëjtin emër në “Warner Bros”. “Black Sabbath” u bë një nga grupet më të mëdha të të gjitha kohërave dhe një themel kyç në zhanrin heavy metal.

Pas disa albumeve të suksesshme dhe disa punëve solo me “Blizzard of Ozz”, “Black Sabbath” e përjashtuan Osbourne nga grupi në vitin 1979. Shkak u bë abuzimi i tij me substanca dhe sjelljes së çrregullt.

Sa është pasuria e Ozzy Osbourne?

Trashëgimia e Osbourne, si kulturore ashtu edhe financiare, është e pamatshme. Pasuria e tij vlerësohet në 220 milionë dollarë, fryt i një karriere që zgjati pesë dekada dhe që ndikoi jo vetëm në muzikë, por edhe në televizion dhe në prodhimet live.

Karriera e tij filloi me “Black Sabbath” dhe vazhdoi me një karrierë të suksesshme solo, duke shitur miliona disqe. Ozzfest , turneu muzikor që ai themeloi në vitin 1996, fitoi mbi 100 milionë dollarë dhe shiti pesë milionë bileta.

Televizioni e katapultoi atë edhe më lart. Reality show “The Osbournes” (MTV, 2002) ndryshoi peizazhin televiziv dhe i dha atij një brez të ri fansash. Familja fitoi 800,000 dollarë në sezonin e parë dhe 5 milionë dollarë për anëtar në të dytin.

Gruaja e tij Sharon, fëmijët Jack dhe Kelly, si dhe marrëveshjet e tij për miratim, reklamim dhe botim kontribuan në një perandori biznesi me vlerë 251 milionë dollarë. Pavarësisht shëndetit të tij në përkeqësim, Ozzy ruajti një ndikim global deri në fund.