Një raport tronditës në SHBA ka ngritur akuza të rënda ndaj drejtueses së kampit veror “Camp Mystic” në Teksas, pas përmbytjeve katastrofike që morën jetën e 25 vajzave dhe dy këshilltareve të reja verën e kaluar.
Sipas raportimit, Mary Liz Eastland, bashkëdrejtuese dhe shefe e shërbimit shëndetësor të kampit, akuzohet se ka braktisur fëmijët dhe stafin ndërsa ujërat përmbytën zonën gjatë natës së 4 korrikut 2025. Autoritetet amerikane kanë pezulluar përkohësisht licencën e saj si infermiere.
Bordi i Infermierisë në Teksas pretendon se Eastland evakuoi vetëm veten dhe fëmijët e saj drejt një zone më të sigurt, pa dhënë udhëzime apo ndihmë për vajzat dhe pjesën tjetër të stafit ndërsa lumi Guadalupe dilte nga shtrati.
Në dokumentet zyrtare thuhet se veprimet e saj mund të kenë kontribuar në “humbje jete”, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se lejimi i saj për të vazhduar profesionin përbën “kërcënim të menjëhershëm për sigurinë publike”.
Vetë Eastland ka pranuar më herët në gjykatë se nuk arriti të shkonte te kabinat ku ndodheshin vajzat më pranë lumit, duke pretenduar se niveli i ujit ishte bërë i pakalueshëm. Megjithatë, ajo u pyet edhe pse nuk kishte njoftuar personelin tjetër mjekësor për të ndihmuar në evakuim.
Tragjedia në “Camp Mystic” shkaktoi zemërim të madh në SHBA, ndërsa familjarët e viktimave kanë ngritur padi ndaj drejtuesve të kampit, duke i akuzuar për mungesë përgatitjeje dhe dështim për të mbrojtur fëmijët.
Përmbytjet e 4 korrikut në Teksas lanë mbi 130 viktima në të gjithë rajonin dhe konsiderohen ndër katastrofat më të rënda natyrore të viteve të fundit në SHBA.

