Ylli amerikan i muzikës, Beyonce do të dhurojë 2,5 milionë dollarë për të ndihmuar të prekurit nga zjarret në Los Anxheles përmes fondacionit të saj “Beygood”. “Los Angeles, ne qëndrojmë me ju”-thuhet në një postim nga fondacioni në Instagram. Paratë janë caktuar për të mbështetur familjet në lagjet Altadena dhe Pasadena që kanë humbur shtëpitë e tyre. Kishat dhe qendrat komunitare që mbështesin të prekurit në rajon do të marrin gjithashtu donacione. Zjarret shkaktuan vdekjen e të paktën 24 personave dhe kanë lënë pas shkatërrime të mëdha gjatë javës së kaluar. Meteorologët paralajmërojnë se erërat e forta mund të nxisin më tej flakët në ditët në vijim.

Zjarrfikësit po vazhdojnë të bëjnë përpjekje që të frenojnë zjarret në Los Anxhelos teksa vijojnë të shkrumbojnë zona të tëra, për të shtatën ditë me radhë. Autoritetet amerikane evidentuan të pakën 24 viktima e 16 të zhdukur. Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, tha se kjo mund të jetë fatkeqësia më e madhe natyrore në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi ka shkatërruar mijëra shtëpi, si dhe ka detyruar mbi 100 mijë njerëz të evakuohen.

Referuar të dhënave zyrtare, më shumë se 12 mijë e 300 struktura janë dëmtuar ose shkatërruar. Situatën pritet ta përkeqësojnë edhe erërat me shpejtësi 80 deri në 112 kilometra në orë, të cilat, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, nisën pardje e parashikohet që të zgjasin deri të mërkurën e kësaj jave. Zyrtarët paralajmëruan të gjithë popullsinë e Qarkut të Los Anxhelosit prej afro 10 milion banorësh se mund të urdhërohet të evakuohet nga flakët dhe tymi toksik.

Ndërkaq, miliarderi amerikan Elon Musk planifikon të ofrojë internet falas në zonat e shkatërruara nga zjarret shkatërruese të pyjeve në Kaliforni. Musk do të përdorë kamionë të veçantë kibernetikë të prodhuar nga kompania e tij Tesla, si dhe teknologjinë Starlink për të ofruar Wi-Fi falas për përdoruesit në zonat e cënueshme.