E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë gazetarja e Top Channel Alma Demiraj. Ajo ka folur më shumë mbi rastin tronditës të transmetuar së fundmi, ku një dhurues sperme danez, i cili pa vetëdije mbarte një mutacion gjenetik që rrit ndjeshëm rrezikun e kancerit, ka qenë donator për të paktën 197 fëmijë në të gjithë Europën, ku bën pjesë dhe Shqipëria e Kosova…
Por ndër të tjera, Alma u ndal edhe tek podcasti i saj i ri, “Shëndet me Almën”, duke treguar dhe rastet e treguara nga mjekët e ftuar, që i kanë bërë më shumë përshtypje:
“Unë kam thënë që do të kem mjekë shumë të mirë profesionistë, të gjithë mjekët janë profesionistë, por unë kam deklaruar që do i kem ‘on top’. Së fundmi kemi pasur profesor Arjan Harxhin, i cili është mjek infeksionistë dhe merret pikërisht me sëmundjet seksualisht të transmetueshme, me HIV AIDS. E dinit ju që sifilizi quhet sëmundja e aristokratëve, që nga librat si Ana Karenina, që do të thotë se shfrenimi seksual ndodhte tek aristokratët, kjo sëmundje përhapej tek ata. Por sifilizi të prek trurin dhe i çmendte aristokratët. Dhe shumë të tjera futen tek meshkujt biseksualë, që kanë marrëdhënie edhe me një grua, por dhe me persona të së njëjtës gjini. Profesor Harxhi bëri një thirrje për rininë shqiptare; mos i bullizoni, mos i diskriminoni, të gjithë janë të lirë në prirjet e tyre seksuale, por jetojini, shijojini shëndetshëm, pra duke u mbrojtur, që të mos infektoheni! Sa herë unë rrija me mjekët, bëja intervista për lajmet, por lajmet aq të mundësojnë, një hapësirë të shkurtër deri në 2 minuta, ndërkohë kjo hapësira e re 30 minuta dhe me mjekë që e kanë kokën plot dhe ke çfarë t’u marrësh, janë jo vetëm për mua por dhe për audiencën e “Shëndet me Almën” shumë të vlefshme”. /TAR/
