Të ftuar mëngjesin e sotëm në studion e “Wake Up”, kanë qenë Big Basta dhe Kelly, të cilët kanë sjellë projektin e tyre “Pa ty”. Bashkëpunimi vjen si një rikthim i këngës legjendare “Nuk di” nga Upstream dhe Kelly, nga Top Fest 5. Si erdhi ideja për të sjellë këtë version të ri dhe tematika e veçantë që përçon kënga, na flasin vetë Big Basta dhe Kelly…
“Pa ty” sjell temën e dicorcit, por këtë herë nga kënvështrimi dhe përjetimi i burrit. Pse kjo zgjedhje?
Big Basta: Divorci shpesh rëndon edhe mbi burrin, që supozohet se duhet të qëndojë i fortë. Kemi dashur të jemi pak më të sinqertë për të treguar ndjenjat e burrit. Sepse më së shumti këngët shikohen nga këndvështrimi femëror. Ne i kemi rënë më thellë. Nuk mjaftojnë vetëm 38 vargje për të numëruar një ndjesi, por jemi munduar ta shpjegojmë. Kënga është legjendare, bashkëpunimi ka lindur shumë kohë më parë. E dija që nëse do të bashkëpunoja me Kellyn do t’ia dedikoja kësaj ndjesie. Jam munduar të futem në mendjen e gjithë situatës.
Kelly: Që kur dola nga BBV, ishte një kërkesë shumë e lartë për ta rikthyer këtë këngë, duke e sjellë më ‘In’ me tingujt e momentit. Versioni me Big Bastën ka qenë simbiozë e saktë e bashkëpunumit, sepse jemi të një gjenerate dhe i njohim limitet se ku i përkasim. Është pritur shumë mirë nga publiku. Prisja pak kritika se pse është marrë vetëm nga ky kënvështrim, por është një temë që i përket të gjithëve. Divorci po e dërrmon atë familjen që e përjeton.
Sa i rëndësishëm është rikthimi i këngëve të vjetra në versione më të reja?
Kelly: Në të gjithë botën, është bërë e modës që të bësh rikthime. Ato po ecin më tepër, sepse kthejnë nostalgjinë, tingullin e bukur. Sidomos sot që tregu është pak i hapërdarë.
Big Basta: Hip Hop gjithmonë kështu ka qenë, që merrte tinguj nga këngë të vjetra. Producentët e rinj sot duan të krijojnë vetëm gjëra të reja. Është shumë mirë të krijosh nga 0, por frymëzimin duhet ta kesh nga këngët e vjetra. Nuk mund të nisesh se të pëlqejnë këngëtarët e huaj dhe të bësh diçka nga ata. Kemi shumë këngë të bukura nga Top Fest. Nostalgjia gjithmonë funksionon dhe gjithmonë ka për të funksionuar. /TAR/



