Një ankand i ri kushtuar Marilyn Monroe ka ndezur debat të madh në rrjet, pasi mes sendeve personale të nxjerra në shitje ndodhen edhe dokumente shumë intime që fansat i konsiderojnë të papranueshme për publikun.

Ankandi është organizuar në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së ikonës së Hollywood dhe përfshin mbi 190 objekte të lidhura me jetën dhe karrierën e saj.

Në koleksion gjenden letra personale, skenarë filmash, grim i përdorur nga vetë aktorja, bizhuteri dhe veshje të rralla që kanë tërhequr interes të madh nga koleksionistët.

Një nga artikujt më të komentuar ka qenë një fustan elegant mbrëmjeje, i cili raportohet se është shitur për rreth 20 mijë dollarë. Por ajo që ka shkaktuar zemërim masiv në internet nuk kanë qenë veshjet apo bizhuteritë, por disa radiografi mjekësore të Marilyn Monroe të viteve 1950.

Sipas përshkrimit të ankandit, bëhet fjalë për skanime të kraharorit dhe legenit të realizuara për arsye shëndetësore, të shoqëruara edhe me detaje spitalore.

Pikërisht kjo ka ngritur valë kritikash në rrjetet sociale, ku shumë përdorues e kanë quajtur situatën “shqetësuese” dhe “mungesë totale respekti ndaj privatësisë”.

Shumë komentues kanë theksuar se të dhënat mjekësore nuk duhet të trajtohen si objekte koleksionimi, edhe kur bëhet fjalë për figura historike apo të famshme.

Madje, disa persona në internet kanë propozuar mbledhje fondesh vetëm për të blerë radiografitë dhe për t’i shkatërruar, me qëllim mbrojtjen e dinjitetit dhe privatësisë së aktores legjendare.

Debati ka rikthyer edhe njëherë diskutimin mbi kufijtë etikë të ankandeve publike dhe mënyrën se si trajtohen sendet personale të personazheve të njohur shumë vite pas vdekjes së tyre.