Monarkia britanike është përballur me kritika të ashpra nga biografi mbretëror Andrew Lownie, i cili e ka akuzuar Familjen Mbretërore për “mungesë totale ndërgjegjësimi” dhe përpjekje sistematike për të mbuluar skandalet e brendshme.

Në prag të paraqitjes së tij në Festivalin Letrar Magheramorne në Irlandën e Veriut, autori i librit “Ngritja dhe Rënia e Shtëpisë së Windsor” deklaroi se katër vite kërkime mbi familjen Windsor e lanë të tronditur nga mënyra si Pallati ka vepruar për të mbrojtur Princin Andrew.

Sipas Lownie, skandali që rrethon Dukën e Jorkut është vetëm maja e ajsbergut. “Nuk bëhet fjalë vetëm për një individ. Është një sistem i tërë që përpiqet të frikësojë dhe të heshtë këdo që e sfidon, madje edhe përmes kërcënimeve ligjore”, është shprehur ai për mediat britanike.

Autori pretendon se edhe Mbretëresha e ndjerë Elizabeth II kishte zgjedhur të mbronte djalin e saj, duke vendosur familjen përpara institucionit. Ai e përshkruan Princin Andrew si narcisist dhe të papenduar, duke shtuar se, sipas burimeve të tij, ai e sheh veten si viktimë dhe nuk mendon se ka bërë asgjë të gabuar.

Lownie kritikon gjithashtu kulturën brenda familjes, duke thënë se anëtarët e saj rriten në një ambient ku rrallë përballen me kritika dhe zhvillojnë një ndjenjë të tepruar rëndësie.

Sipas tij, e ardhmja e monarkisë do të varet nga një nivel më i lartë transparence, veçanërisht në lidhje me financat dhe marrëdhëniet me median. Në të kundërt, paralajmëron ai, besimi publik mund të pësojë goditje të pariparueshme.