Aktori David Del Rio është shkarkuar nga sezoni i dytë i serisë televizive të CBS-it, Matlock, për shkak të një hetimi që po zhvillohet ndaj tij lidhur me një akuzë për sulm seksual. Aktori u largua nga seti më 2 tetor, të njëjtën ditë kur u raportua incidenti. Ngjarja e dyshuar thuhet se ka ndodhur më 26 shtator dhe sipas raportimeve, në të ka qenë e përfshirë kolegia e tij në seri, aktorja Leah Lewis. Pas publikimit të lajmit, Lewis reagoi në profilin e saj në Instagram me një mesazh mbështetës për veten:
“Po ecim përpara me dashuri dhe forcë. Jam në duar të mira. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen dhe kujdesin. Fjala kyçe është forca. Le të jetë kjo mesazhi,”-shkroi ajo krah një fotografie të saj. Përfaqësuesi i David Del Rio-s nuk ka dhënë ende ndonjë koment zyrtar. Ndërsa nga CBS Studios kanë konfirmuar largimin e aktorit nga seriali, por kanë refuzuar të japin detaje shtesë. David Del Rio, i lindur në Florida, u bë i njohur përmes serialit të Nickelodeon “The Troop” (2009–2011). Ai ka luajtur gjithashtu në filmin “Pitch Perfect” dhe në serinë “Maggie”. Aktori është i martuar që nga viti 2018 dhe ka dy vajza.
Roli i tij si praktikant avokatie, Billy Martinez, në serinë Matlock konsiderohej një pikë e rëndësishme në karrierën e tij. Seriali është një version modern i dramës së njohur ligjore me aktorin legjendar Andy Griffith, që u transmetua nga viti 1986 deri më 1995. Në versionin e ri, rolin kryesor e mban Kathy Bates. Që nga premiera e saj në vitin 2024, seria e re Matlock ka marrë vlerësime të shkëlqyera nga kritika, ndërsa Bates është nominuar për Çmimin “Golden Globe” dhe “Emmy” për interpretimin e saj.