Kim Kardashian dhe Kris Jenner kanë kundërshtuar ashpër padinë e re të Ray J, i cili pretendon se Kris ka qenë përgjegjëse për publikimin e videos së tyre intime në vitin 2006. Avokati i tyre, Alex Spiro, e quajti padinë një shpërqendrim të dëshpëruar, duke thënë se Ray J “do ta humbasë edhe këtë çështje të kotë”. Në dokumentet e dorëzuara në gjykatë, Ray J pretendon se videoja u xhirua me marrëveshje në vitin 2003 dhe se Kim dhe Kris kishin diskutuar publikimin e saj vite më vonë.

Ai gjithashtu i akuzon ato për përhapjen e historisë së rreme se videoja u publikua kundër vullnetit të Kim-it dhe për shpifje të tjera që, sipas tij, i kanë dëmtuar reputacionin. Kardashian dhe Jenner i kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat dhe muajin e kaluar ngritën një padi për shpifje kundër Ray J, duke thënë se ai ka nisur një fushatë akuzash të rreme prej më shumë se dy dekadash.

Në padinë e tyre thuhet se pretendimet e tij për një hetim federal ndaj familjes Kardashian-Jenner janë “haptazi të pavërteta” dhe pa asnjë provë. Ray J së fundmi deklaroi në një transmetim live se po punonte me autoritetet federale për të ngritur një çështje RICO kundër tyre, deklaratë që Kardashianët e quajtën fantazi të rrezikshme. Avokati i tyre theksoi se nuk ekziston asnjë hetim i tillë dhe se akuzat e Ray J janë një përpjekje për të përfituar nga fama e tyre.