Prokuroria e Romës ka shtuar akuzën e “revenge porn” në dosjen e hapur për videot intime të vjedhura të prezantuesit Stefano De Martino dhe të partneres së tij Caroline Tronelli. Një kthesë që hedh dritë mbi një skenar edhe më të errët.
Sipas Corriere della Sera, hetuesit nuk e shohin më incidentin si një “rastësi teknologjike”, por si tradhti nga brenda. Dyshimet bien mbi dikë që njihte mirë kodet e videosurvejimit, një teknik, ndoshta një i njohur i shtëpisë, dikush që përdori besimin si armë.
Ngjarja ndodhi më 9 gusht, kur kamera e sigurisë së shtëpisë u hakerua dhe një video intime e çiftit u grabit. Vetëm disa orë më vonë, pamjet qarkullonin në Telegram. Ishte një ndjekës që njohu tatuazhet e De Martinos dhe e paralajmëroi: “Stefano, në internet po qarkullojnë video intime të tua me partneren”. Ditën pasuese, çifti bëri kallëzim në polici në Porto Cervo, ku po pushonin.
Platformat sociale, ku videoja u shpërnda me shpejtësi, u mbyllën njëra pas tjetrës pas ndërhyrjes së prezantuesit. Megjithatë, videoja ishte shkarkuar, kopjuar, rishpërndarë. Autoriteti i Privatësisë italian urdhëroi bllokimin dhe vendosi gjoba për ata që e posedojnë ose shpërndajnë, por dëmi ishte i pakthyeshëm.
Në këtë sfond, prokuroria e Romës i ka besuar hetimet Policisë Postale, ndërsa akuzat për “revenge porn” shtojnë peshën ligjore dhe morale të çështjes. Avokati i De Martinos, Angelo Pisani, e përshkroi situatën me tone të forta në një intervistë për Agorà Estate:
“Çdo njeri do të ndihej i fyer dhe i thyer shpirtërisht kur sheh imazhin e vet të manipuluar e të shpërndarë në mënyrë të paligjshme. Këto janë plagë që shkojnë përtej karrierës, prekin dinjitetin. Dhe për herë të parë kërkojmë që të ndëshkohen jo vetëm ata që prodhojnë ose vjedhin materialin, por edhe ata që e ruajnë e e shpërndajnë. Edhe ata janë bashkëpërgjegjës.”