Një mister që kishte mbetur i pazgjidhur për gati 20 vjet është zbardhur së fundmi në Shtetet e Bashkuara, pasi autoritetet kanë konfirmuar se skeleti i gjetur në një plazh të shtetit të Washington i përket ish-kryebashkiakut të një qyteti të vogël në Oregon, i zhdukur gjatë një peshkimi. Bëhet fjalë për Clarence Edwin Asher, i njohur si Ed Asher, ish-kryebashkiak i qytetit Fossil. Ai ishte 72 vjeç kur u zhduk në shtator të vitit 2006 gjatë një peshkimi në Tillamook Bay, një gji i vogël në bregdetin e Oregonit.
Menjëherë pas zhdukjes së tij, Roja Bregdetare amerikane nisi një operacion kërkimi në shkallë të gjerë, por pa rezultat. Hetimet u ndërprenë vetëm një ditë më pas dhe autoritetet konkluduan se Asher ishte mbytur, pasi bashkëshortja e tij kishte deklaruar se ai nuk dinte not dhe nuk mbante jelek shpëtimi.
Në nëntor të vitit 2006, disa eshtra njerëzore u gjetën në një plazh pranë Taholah, një zonë bregdetare në rezervatin indian Quinault Indian Reservation, rreth 300 kilometra në veri të vendit ku ishte zhdukur Asher. Pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve të qarkut Grays Harbor dhe mjekësisë ligjore, identiteti i eshtrave nuk u përcaktua kurrë dhe rasti u regjistrua si John Doe, për t’u harruar gradualisht mes dhjetëra çështjeve të tjera të pazgjidhura.
Zbardhja erdhi vetëm në vitin 2025, kur provat forensike iu dërguan kompanisë amerikane Othram, e specializuar në genealogjinë gjenetike. Falë krijimit të një profili të detajuar ADN-je dhe krahasimit me një të afërm të Asher, u arrit konfirmimi i identitetit të skeletit, duke mbyllur një kapitull të gjatë pasigurie.
Bashkëshortja e Asher, Helen, kishte ndërruar jetë në vitin 2018 pas një beteje të gjatë me kancerin, pa e mësuar kurrë fatin përfundimtar të burrit të saj. Çifti kishte një familje të madhe, me 21 nipër e mbesa dhe dhjetëra pasardhës.
Clarance Edwin Asher kujtohet si një figurë e dashur dhe e përkushtuar në komunitetin e Fossil. Për afro 50 vjet ai punoi si elektricist, drejtoi një dyqan lokal, shërbeu si zjarrfikës vullnetar dhe shofer ambulance, si dhe mbajti për një periudhë postin e kryebashkiakut, përpara se të dilte në pension në vitin 1995.



